Tottenham nuk po arrin të marrë ende rezultatet e pritshme pas një vere me shpenzime marramendëse në merkato, ku klubi londinez investoi rreth 400 milionë euro për përforcime.

“Gjelat” u mposhtën 3-1 nga Liverpool në një ndeshje të luajtur në kushte të vështira atmosferike, duke regjistruar një tjetër rezultat zhgënjyes në startin e sezonit.

Pas gjashtë ndeshjesh në të gjitha kompeticionet, Tottenham ka vetëm një fitore, atë ndaj Charlton, skuadër e nivelit të dytë anglez, në raundin e kaluar të Kupës së Ligës.

Në Premier League, skuadra ka zhvilluar katër takime, me dy barazime dhe dy humbje, ndërsa ende nuk ka arritur të shënojë gol.

Në përballjen ndaj Liverpoolit, kampionët e Anglisë kaluan në avantazh me Alexis Mac Allister, ndërsa Cody Gakpo dyfishoi shifrat.

Tottenham reagoi në minutën e 69-të, kur Conor Gallagher shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi dhe riktheu përkohësisht shpresat e vendasve.

Megjithatë, në minutën e parë të kohës shtesë, Dominik Szoboszlai realizoi me një goditje nga distanca, duke vulosur fitoren 3-1 të Liverpoolit dhe eliminimin e Tottenhamit.

Spurs nuk do të luajnë në kompeticionet evropiane këtë sezon, ndaj Kupës së Ligës i shtohet edhe Kupa FA si një nga mundësitë kryesore për të synuar një trofe këtë sezon.

Ndërkohë, edhe dy skuadra të tjera të Premier League siguruan kualifikimin në raundin e katërt të Kupës së Ligës. Fulham mposhti 3-2 West Hamin, ndërsa Brentford fitoi 2-1 ndaj Reading.

Klan News

/tvklan.al