Danimarka u ka kërkuar vendeve të tjera të Bashkimit Europian të ndërmarrin masa konkrete ndaj Rusisë, pasi autoritetet daneze njoftuan se kishin parandaluar një atentat të dyshuar, të organizuar nga shërbimet ruse të inteligjencës.
Sipas policisë dhe shërbimeve të sigurisë daneze, në muajin shtator ishte parandaluar një plan për vrasjen e një reperi amerikano-ukrainas, përpara se ai të dilte në skenë për një performancë. Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, e cilësoi ngjarjen si një shkelje të papranueshme, ndërsa Kopenhaga njoftoi dëbimin e atasheut ushtarak rus.
Në një dokument të dërguar qeverive të vendeve të BE-së, Danimarka propozon kufizime të reja për shtetasit rusë që hyjnë në zonën Shengen, e cila përfshin 29 vende. Ndër masat e sugjeruara janë pezullimi i vizave turistike për qytetarët rusë dhe mosnjohja e pasaportave ruse që nuk përmbajnë të dhëna biometrike.
Danimarka do t’i paraqesë zyrtarisht këto propozime në takimin e ambasadorëve të BE-së, që do të mbahet të hënën në Bruksel. Dokumenti thekson se vendet europiane duhet të veprojnë së bashku dhe të zëvendësojnë masat e ndryshme kombëtare me një qasje të përbashkët në nivel europian.
Propozimet përfshijnë gjithashtu përdorimin më të gjerë të vizave me kufizime, të cilat nuk lejojnë lëvizjen në të gjithë zonën Shengen, si dhe kontrolle më të rrepta për shtetasit rusë që kanë marrë pjesë në luftë, përfshirë ish-luftëtarët. Ambasada ruse në Kopenhagë i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se ato nuk mbështeten në prova.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shprehu solidaritetin e plotë të BE-së me Danimarkën dhe vendet e tjera anëtare që janë shënjestruar nga sulmet hibride ruse. Ajo njoftoi se Komisioni do të propozojë së shpejti një strategji të re europiane të sigurisë, me synim forcimin e gatishmërisë dhe aftësisë parandaluese të unionit.
Komisioni Europian pritet të paraqesë gjithashtu paketën e 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, që po i afrohet pesëvjetorit. Kufizimet e vizave janë ndër masat që po shqyrtohen.
/tvklan.al












Botërori 2026 
