2 viktima në një atentat me armë zjarri në Lezhë. Viktimë sipas policisë mbeti çifti i bashkëshortëve, 39-vjeçari Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, 32-vjeçarja Gentjana Mujeci.

Ata ishin duke shkuar nga Lezha në drejtim të shtëpisë së tyre në Torovicë kur ranë pre e breshërisë së armës. Të dy bashkëshortët mbetën të vdekur në vend, ndërsa u arrit që të nxirreshin nga automjeti pak minuta pasi kishte ndodhur ngjarja e rëndë.

Uniformat blu kanë sekuestruar kamera të sigurisë në zonë, ndërsa janë ngritur postblloqe të shumta për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Pista ku janë përqendruar hetimet është ajo e hakmarrjes. Në vitin 2016, vëllai i Kreshnik Mujecit që mbeti viktimë, Jozefin Mujeci, ka qëlluar me armë zjarri 42-vjeçarin Genc Mëhillaj, po nga fshati Torovicë i Lezhës, pas një konflikti që kanë pasur me njëri-tjetrin.

21-vjeçari në atë kohë u vu në pranga dhe ndodhet në burg, ndërsa një vit pas ngjarjes, më 6 tetor 2017, policia arrestoi edhe Kreshnik Mujecin dhe një vëlla të tij si të dyshuar për përfshirje në këtë vrasje. Dy vëllezërit mohuan akuzat, ndërsa u lanë të lirë nga autoritetet.

Klan News

/tvklan.al