11 tetor 2026 – Ka ndërruar jetë shoferi i automjetit tip Benz në Gjirokastër, që shpërtheu në flakë gjatë mbrëmjes së djeshme.
Mësohet se shtetasi Beqir Devolli ndërroi jetë teksa po transportohej në spitalin e Traumës në Tiranë. Lajmi raportohet nga gazetarja e Klan News Dorina Muhaj.
Ndërkaq, policia me anë të një njoftimi për mediat bën me dije se 45-vjeçari që mbeti viktimë ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital në Tiranë.
Pasagjeri, shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Gjirokastër, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
“Gjirokastër/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shpërthimin e një automjeti tip “Benz” në lëvizje, që dyshohet se është shkaktuar nga lëndë plasëse, me pasojë dëmtimin e drejtuesit dhe pasagjerit, ju informojmë se drejtuesi i automjetit, shtetasi B. D., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës.
Pasagjeri, shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Gjirokastër, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në informacionin paraprak, ai ishte identifikuar me inicialet R. M.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, njoftuan uniformat blu.
Kujtojmë se një automjet tip “Benz” ka shpërthyer në ecje në bulevardin “18 shtatori” në Gjirokastër gjatë ditës së djeshme më 10 tetor.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 22:00. Si pasojë e shpërthimit, ka mbetur fillimisht i lënduar shoferi i automjetit dhe pasagjeri, të cilët janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
“Rreth orës 22:00, në bulevardin “18 Shtatori”, dyshohet se ka shpërthyer automjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit B. D., i cili ishte në lëvizje. Si pasojë e shpërthimit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit B. D. dhe R. M., të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njoftonte policia.












Botërori 2026 