Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i plagosur Zekirja Shaini, kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për komunën e Likovës në Maqedoninë e Veriut, policia e shtetit fqinj ka vënë në pranga bashkëshorten e tij.

Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen, janë thirrur gjashtë persona në stacionin policor të Kumanovës.

“Më 07.10.2025, punonjës policie nga Stacioni Policor i Kumanovës arrestuan A.A. (43) nga Tetova, për arsye të bazuara në dyshimin se ajo është e përfshirë në tentativën për vrasje të bashkëshortit të saj, Z. Sh. (43) nga fshati Sllupçan, Lipkovë.

Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen, gjashtë persona janë thirrur për intervistim në Stacionin Policor të Kumanovës, ndërsa në shtëpinë e B.S. (50) nga Kumanova, është kryer bastisje me urdhër gjyqësor. Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër A.A. do të parashtrohet kallëzim adekuat penal, ndërsa kundër L. F. (36) nga Gostivari, i cili dyshohet për tentativë vrasjeje dhe gjendet ende në arrati, gjithashtu do të paraqitet kallëzim penal pas konsultimit me Prokurorinë Themelore”, thuhet në një njoftim nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Pamje nga atentati, si ndodhi ngjarja

Ditën e djeshme opinioni publik në Maqedoninë e Veriut u trondit nga lajmi se kandidati i BDI-së në komunën e Likovës është sulmuar nga persona të maskuar dhe ka mbetur i plagosur.

Mjeku pulmolog Zekirja Shaini u raportua se ishte goditur me disa plumba, nga disa persona të maskuar, por është jashtë rrezikut për jetën. Sipas Portalb.mk, ai kishte marrë katër plumba në gjurin e djathtë dhe në parakrahun e majtë. Shaini u dërgua fillimisht në spitalin e Kumanovës, dhe më pas në klinikat e Shkupit, ku iu dha ndihma mjekësore.

Ai u lirua sot nga Klinika Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rindërtuese në Shkup për trajtim në shtëpi, pasi siç deklaroi drejtoresha e klinikës, Jasmina Gjorgievska-Pavlovska, i plagosuri ishte në gjendje të mirë.

“Pacienti është në gjendje të mirë të përgjithshme. Pasi u trajtuan plagët, ai u lirua për trajtim në shtëpi”, tha Gjorgievska-Pavlovska.

Shaini pas daljes nga spitali: Mos i jepni ngjyrime politike

Shaini pas daljes nga spitali ka bërë një reagim për herë të parë, duke kërkuar që ngjarjes të mos i jepet ngjyrime politike pavarësisht se është në fushatë zgjedhore.

“Dje u godita në pabesi nga persona të maskuar. Dua t’ju siguroj se unë nuk kam hak ndaj askujt, e as nuk i kam prekur kujt familjen për këtë e kam dëshmitar vetëm Zotin. Jemi në periudhë fushate zgjedhore, por nuk dua që kjo ngjarje të marrë ngjyrime politike. Nuk kam armiqësi politike me askënd. Lus organet e rendit që ta zbardhin këtë rast sa më shpejt që të jetë e mundur. Aktualisht, për shkak të gjendjes sime psikofizike, nuk mund të pranoj vizita. Edhe njëherë, ju falënderoj nga zemra secilin veç e veç për kujdesin, respektin dhe përkrahjen që më keni treguar”, ka deklaruar kandidati.

Mjeku pulmolog u qëllua ditën e djeshme me armë, kur po lëvizte me makinën e tij nga një person i maskuar, i cili del nga një tunel i një ndërtese dhe menjëherë më pas arratiset në të njëjtin drejtim.

/tvklan.al