Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi ishin ulur në lokal duke pirë kafe, kur u qëlluan të paktën 7 herë me armë zjarri. Atentati ndodhi rreth orës 14:15 minuta të kësaj të marte, në zonën e Don Boskos në Tiranë. Nga të shtënat të dy personat në fjalë mbetën të plagosur.

Në një deklaratë për gazetarët, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj tha se autoritetet e kishin thuajse të qartë të gjithë dinamikën e ngjarjes. Ai dha pak detaje rreth saj, megjithatë Vocaj zbuloi se 3 kanë qenë personat që morën pjesë në këtë atentat, mes tyre edhe shoferi.

Ata udhëtonin me makinë dhe sipas Vocajt, hapën zjarr pa zbritur nga automjeti.

Makina e tyre u gjet e djegur pak kohë më pas, në zonën e Institutit. Brenda saj mësohet se është gjetur edhe një armë zjarri.

Kreu i policisë nuk konfirmoi se cili kishte qenë objektivi i këtij atentati, megjithatë ai tha se po analizohet e shkuara e të plagosurve dhe se njëri prej tyre është me precedentë penalë.

Bëhet fjalë për 45-vjeçarin Kastriot Elezaj, i cili ka qenë i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Ai mësohet se është ekstraduar nga vendi ynë drejt Italisë e pasi ka përfunduar dënimin është rikthyer në Shqipëri.

Në foto 22-vjeçari Renaldo Metushi

Sa i përket 22-vjeçarit Metushi ai nuk rezulton të ketë precedentë penalë.

I riu ka marrë një plumb në këmbë, ndërsa 45-vjeçari është plagosur në kraharor. Të dy ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al