Avokati Saimir Visha ka zbuluar të tjera detaje për ngjarjen e rëndë që tronditi Durrësin më 27 Prill, kur në zonën e tregut të makinave në Shën Vlash mbetën të vrarë në një atentat vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia.

Sipas avokat Vishës, klienti i tij Altin Ndoci nuk ka lidhje me këtë ngjarje.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, avokati Saimir Visha është shprehur se Altin Ndoci u takua me Besmir Haxhinë mëngjesin e ditës kur ndodhi atentati, pasi kishin njohje të mëparshme.

Avokat Visha: Ditën e ngjarjes, Besmiri, një nga viktimat, është takuar me të mbrojturin prej në mëngjes, dhe ky është fakt. Ka vajtur për të marrë gruan në Gramsh dhe është ndaluar tek shtëpia e të mbrojturit prej meje. Imagjino që të jesh në një takim miqësor dhe shoqëror dhe pas pak të vritesh. Nuk ka logjikë. Ka qenë në banesën e vetë dhe i kemi të gjitha me regjistrime.

Për vrasjen e dyfishtë në Durrës janë arrestuar Altin Ndoci dhe Klevis Alla 22 vjeç. Ky i fundit i tregoi policisë vendin ku autorët kishin hedhur armët dhe kishin fshehur makinën pas krimit. /tvklan.al