Autorët e plagosjes së 4 persona mes të cilëve 2 të mitur mbrëmjen e së enjtes së një jave më parë në Lundër, lanë në vendngjarje gjurmë ADN-je.
Burime pranë policisë dhe prokurorisë së Tiranës i thanë Tv Klan se këto gjurmë janë administruar në shtegun e përdorur nga atentatorët, që shërbeu për fshehjen e tyre, derisa të zbraznin breshërinë e plumbave mbi makinën tip “G Class”, ku udhëtonin 4 persona.
Këto gjurmë janë dërguar për ekzaminim dhe më pas hetuesit pritet të zbulojnë nëse përmes tyre, do të mund të shkojnë në identifikimin e qitësve, të cilët lëviznin me motor.
Deri në këtë fazë të hetimit, policia dhe prokuroria nuk ka ende një të dyshuar për ngjarjen, e cila paraprakisht si pistë hetimi ka ngatërrimin e shënjestrës.
Për të rënë në gjurmët e autorëve, grupi hetimor vijon dhe me analizimin e pamjeve filmike itinerarin ku kanë lëvizur autorët si para dhe pas ngjarjes së rëndë, që la pas 4 të plagosur mes tyre 2 vëllezër të mitur, të moshës 17 dhe 11 vjeç.
Këta të fundit janë dërguar në Itali për kurim të specializuar, ku nga sa mësohet vijojnë të jenë nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Tv Klan