Katër ditë pas atentatit tipik mafioz në rrethrrotullimin e Rinasit, ndërron jetë në spital edhe Mucci Shaljani, i cili drejtonte makinën ku lëvizte Gilmando Dani, i cili mbeti i vrarë në vend nga breshëria e plumbave të armëve të zjarrit.

40-vjeçari mori 10 plumba, një prej të cilëve në kokë, plagë të cilat i shkaktuan vdekjen këtë të shtunë, pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha të Spitalit të Traumës, ku ai ndodhej prej së martës së shkuar.

Ndonëse mbeti viktimë e atentatit, Muçi Shaljani nuk ishte objektivi i vrasësve.

Hetuesit dyshojnë se shënjestër ishte miku i tij, Gilmando Dani, me të cilin 40-vjeçari u qëllua sapo u kthyen nga një vizitë disa ditore në Barcelonë.

Shaljani rezultoi se ishte pjesë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore prej afro 3 muajsh, rekrutim ky që tashmë është në fazë hetimi, dhe që deri tani ka çuar në pranga dy efektivë të Komisariatit 3 në Tiranë.

Këta të fundit u lanë në burg këtë të shtunë nga Gjykata e Tiranës me dyshimin se kanë falsifikuar vërtetimin e besueshmërisë së 40-vjeçarit, duke mos pasqyruar lidhjet e tij shoqërore, çka do ta pamundësonte emërimin e tij pranë AMP.

Sakaq, lidhur me hetimet e atentatit mafioz, policia ende nuk ka të dhëna për autorët e vrasjes, teksa verifikimet i ka shtrirë edhe në Spanjë, ku dy viktimat ishin para ekzekutimit.

Informacion është kërkuar edhe nga autoritetet greke, nga ku rezultoi se ishte vjedhur makina tip Toyota e 4 autorëve, së bashku me targat, të cilat u dogjën në fshatin Halil pas ngjarjes.

Rreth 5 kilometra nga ky vend, policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh në banesën e Ylli Zallës nga Fushë-Kruja.

Ndonëse ky i fundit po hetohet nëse ka lidhje me atentatin, burime pranë policisë dhe prokurorisë i thanë TV Klan se deri më tani nuk ka asnjë provë që implikon 48-vjeçarin në vrasjen e Gilmando Danit dhe mikut të tij, Muçi Shaljani.

Tv Klan

/tvklan.al