Kanë marrë një tjetër drejtim hetimet për atentatin me 4 të plagosur në Tiranë. Klan News mëson se policia ka dyshime të forta se autorët kanë ngatërruar shënjestër. Hetuesit mendojnë se objektiv ishte gruaja e Roan Brahimit, e cila ka makinë të ngjashme me atë që u qëllua mbrëmjen e djeshme pranë rreth rrotullimit të Shkozës.

Burime për Klan News thonë se 45 minuta pas vrasjes së Gjovalin Prendit në Pllane të Lezhës, autorët kanë pasur si qëllim edhe vrasjen e bashkëshortes së djalit të tij, i cili u ekzekutua në një atentat në Maj të vitit të kaluar në Athinë.

Bëhet e ditur se gruaja e Roan Brahimit i njohur me emrin Sidorel Prendi përveç makinës së ngjashme edhe targat i ka thuajse të njëjta me atë ku udhëtonin 4 personat qe u plagosën mbrëmjen e së enjtes. Gjithashtu gruaja e Brahimit banon në të njëjtën zonë me familjen e të plagosurve. Policia e Tiranës ka zbardhur dinamikën e krimit që ndodhi rreth orës 21:50.

“Atentatorët e kanë pritur automjetin në të cilin udhëtonin 4 personat e plagosur pranë këtij vendi në unazën e madhe, përballë tregut agroushqimor. Sapo mjeti ka hyrë në rrugën dytësore për të shkuar në zonën e Lundrës është qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tyre”, raporton gazetari Besar Bajraktaraj.

Shoferi 34 vjeçar ka tentuar ti shpëtojë atentatit dhe ka vijuar lëvizjen për 1.4 kilometër deri sa është përplasur me një automjet tjetër. Aty me pas 4 të plagosurit u transportuan për në spital me një mjet tjetër.

Hetimet paraprake të policisë tregojnë se autorët, dyshohet të jenë dy persona, dhe lëviznin me një motor. Deri më tani, policia nuk ka zbuluar asnjë gjurmë të tyre. Nga këqyrja e mjetit të të plagosurve rezultoi se ai kishte 7 vrima nga plumbat.

Të plagosurit kanë deklaruar në polici se nuk kanë konflikte me askënd dhe nuk kanë arritur të identifikojnë sulmuesit. Asnjëri prej tyre, përfshirë shoferin, nuk ka precedentë penalë.

Sipas informacioneve, katër të rinjtë kishin qenë në Shijak për të festuar një ditëlindje. Në spital, 11-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të plagëve në kraharor, ndërsa kushëriri i tij 17-vjeçar është transferuar për trajtim në një spital privat. Shoferi dhe 19 vjeçari tjetër janë jashtë rrezikut për jetën.

Klan News