Zbulohen detaje të reja në lidhje me atentatin e së mërkurës në një lokal në “Don Bosko” ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.

Sipas burimeve të Klan News, autorët kanë pritur rreth 30 minuta në makinë, pranë lokalit ku ndodheshin dy të rinjtë. Kjo ka rezultuar nga pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.

Kjo tregon se ata ishin të mire informuar se objektivi i tyre do të ulej në lokal. Dy të plagosurit kanë ardhur dhe janë ulur në verandë gjatë kohës që autorët i prisnin në afërsi.

Autorët kanë lëvizur me automjet për t’u siguruar se janë ulur aty duke saktësuar dhe tavolinën. Më pas janë rikthyer para lokalit, kanë kthyer makinën sepse rruga është pa dalje dhe kanë qëlluar pa zbritur nga mjeti.

Sa i përket itinerarit, nga kqyrja e pamjeve të kamerave, u zbulua se makina ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes.

E njëjta rrugë është ndjekur nga autorët dhe pas atentatit derisa e dogjën makinën në Qerekë. Kjo zonë duket se është studiuar mirë më parë nga autorët, pasi nuk ka mbulim me kamera sigurie.

Në verifikim ka rezultuar se targat e mjetit “Golf 5” që u përdor nga autorët, i përkasin një makine në Kamëz, të padenoncuara si të vjedhura.

Dyshimet janë që objektiv i atentatorëve ka qenë Kastriot Elezaj. Mirëpo gjatë  dëshmisë, ai së bashku me shokun Renaldo Metushi mohuar konflikte me persona të tjerë. Ata ndodhen të shtruar në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Klan News