Atletico e Madridit dhe Arsenali barazuan 1-1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions-it, në një përballje ku kryefjala ishin penalltitë. Sfida ishte e luftuar, ku të dyja ekipet nuk kalonin në aventurë. Pozicionimi i mirë në fushë për të mos lënë hapësira bënte që goditjet nga larg të ishin të vetmet alternativa. Alvarez provoi për Atleticon dhe Madueke për Arsenalin.
Në fundin e pjesës së parë londinezët kalojnë në avantazh me një penallti të fituar dhe të shndërruar në gol nga Giokeresh.
Fillimi i pjesës së dytë ishte më i mirë për spanjollët që fituan terren dhe krijuan raste si me Lokman dhe Grizman. Këmbëngulja solli golin e barazimit, edhe këtë herë me penallti. Pas një prekjeje të topit me dorë, Hulian Alvarez nuk gabon nga pika e bardhë.
Pas këtij momenti Atletiko fitoi besim dhe iu afrua golit të fitores me Grizman që u ndal nga traversa.
Por Arsenali mund të kishte përfituar nga një tjetër episod kur arbitri akordoi penallti, por VAR e anuloi atë duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit.
“Kemi përpara një sfidë shumë të vështirë. Luajmë në Londër, kundër Arsenalit që nuk ka humbur asnjë ndeshje në Champions. Do të shkojmë për ta fituar”, pohoi Diego Simeone, trajner i Atletico-s.
Nga ana tjetër, Mikel Arteta, trajneri i Arsenal-it pohoi:
“Jam shumë i zhgënjyer me penalltinë. Në Premier Ligë këto prekje me dorë nuk jepen, por këto janë rregullat.”
Ndeshjet e kthimit gjysmëfinale Arsenal-Atletico dhe Bayern-PSG do të luhen në datat 5-6 maj.
/tvklan.al












Botërori 2026 
