Publikohen pamjet e atentatit ndaj Edison Begajt - Tv Klan

Publikohen pamjet e atentatit ndaj Edison Begajt



Publikohen pamjet e atentatit ndaj Edison Begajt

10:20 02/06/2021

38-vjeçari u qëllua me 2 plumba në prani të fëmijeve

Ora e kësaj kamere sigurie shënon 23:20 minuta e së shtunës së 29 Majit dhe 38-vjeçari Edison Begaj është duke luajtur me fëmijët në makinën e tij përpara shtëpisë në Kaninë të Vlorës.

1 minutë më pas ai del nga makina dhe drejtohet drejt shtëpisë, por nga pas automjetit afrohet një person. I maskuar dhe i veshur me rroba policie, ai shkëmben disa fjalë me Begajn dhe më pas nxjerr një kallashnikov dhe qëllon 2 herë në drejtim të Begajt.

38-vjeçari tenton të largohet, por rrëzohet. Ishin familjarë të tij që e dërguan me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Me të marrë njoftimin policia ushtroi kontrolle në zonë me qëllim kapjen e autorëve, por pa rezultat. Të paktën 10 persona janë shoqëruar, por pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë.

Në dëshminë para hetuesve, Begaj ka thënë se nuk ka konflikte të hapura dhe se nuk ka dijeni për autorët.

Edison Begaj është një emër i njohur për drejtësinë. Në Shkurt të 2008-s ai u arrestua në një operacioni antidrogë ku u sekuestruan edhe 284 kilogramë hashash dhe një arsenal armësh.

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e dënoi me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Po ashtu në vitin 2015 Begaj u kap me 50 kg marijuanë. Në 18 Maj të vitit të shkuar OFL i dërgoi Edison Begajt kërkesën me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë së tij. Pistat ku po heton policia është ajo e konflikteve të 38-vjeçarit për shkak të përfshirjes në aktivitete të paligjshme.

Tv Klan








Të ngjashme