Autorja e njohur, Sophie Kinsella ka zbuluar se është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të trurit. 54-vjeçarja, emri i vërtetë i së cilës është Madeleine Sophie Wickham, është më e njohur për shkrimin e serisë së librave “Shopaholic”.

Në një deklaratë të postuar në “Facebook”, romancierja tha se i është nënshtruar kimioterapisë dhe radioterapisë, trajtime që vazhdojnë akoma.

“Në fund të vitit 2022 u diagnostikova me glioblastoma, një formë e kancerit agresiv të trurit. Nuk e ndava më parë me ju këtë lajm sepse doja të sigurohesha që fëmijët e mi të ishin në gjendje të dëgjonin dhe të përpunonin këtë situatë në privatësi dhe të përshtateshin me normalitetin tonë të ri.”

Ajo shton se gjatë kësaj kohe ka qenë nën kujdesin e ekipit të një spitali në Londër teksa ka thënë se operacioni i ka shkuar me sukses.

“Unë kam qenë nën kujdesin e ekipit të shkëlqyer në spitalin në Londër dhe kam pasur një operacion të suksesshëm dhe radioterapi dhe kimioterapi të mëvonshme, e cila është ende në vazhdim.”

Kinsella tha se situata e saj është e qëndrueshme dhe në përgjithësi shumë e mirë, por shtoi se shpesh ndihet shumë e lodhur.

“Unë jam shumë mirënjohëse për familjen dhe miqtë e mi të ngushtë që kanë qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për mua dhe për mjekët dhe infermierët e mrekullueshëm që më kanë trajtuar.”

Ajo përfundoi duke dërguar dashuri dhe urimet më të mira për të gjithë ata që vuajnë nga kanceri.

“Mund të jetë shumë e frikshme të kesh një diagnozë të vështirë dhe mbështetja e kujdesi i njerëzve përreth do të thotë shumë se fjalët.”

Libri më i fundit i Kinsella, “The Burnout”, u botua në Tetor 2023. Kinsella ka 4 djem dhe 1 vajzë me bashkëshortin e saj, Henry Wickham. Romanet e Kinsella kanë shitur më shumë se 45 milionë kopje në më shumë se 60 vende dhe janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë./tvklan.al