Tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër dhe roli i transportit në këtë transformim ishin në qendër të pjesës së dytë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, sot, më 2 maj ku u diskutuan gjerësisht avantazhet dhe sfidat e përdorimit të makinave elektrike në Shqipëri. I ftuar në studio ishte pedagogu David Meçani, i cili solli një analizë të detajuar mbi gjendjen aktuale dhe perspektivat e këtij tregu në vend.

Sipas zotit Meçani, tranzicioni drejt makinave elektrike në Shqipëri është realist dhe vendi ynë është në hapat e duhur krahasuar me rajonin, duke pasur parasysh se rreth 86% e energjisë elektrike prodhohet nga hidrocentralet, pra nga burime të rinovueshme dhe miqësore me mjedisin. Megjithatë, transporti rrugor mbetet burimi kryesor i ndotjes në Shqipëri, duke zënë rreth 80% të emetimeve të dioksidit të karbonit dhe gazeve serrë. Pavarësisht rritjes së interesit për makinat elektrike, tregu shqiptar ende dominohet nga automjetet me naftë dhe benzinë, kryesisht për shkak të besueshmërisë që këto makina kanë krijuar ndër vite si një investim afatgjatë.

Nga ana tjetër, avantazhet e makinave elektrike janë të shumta dhe konkrete. Ato kërkojnë më pak mirëmbajtje, nuk kanë nevojë për servise rutinë si ndërrimi i vajit dhe filtrave, dhe kanë një ndikim shumë më të ulët në mjedis. Për 100 kilometra, një makinë elektrike kushton rreth 1200-1500 lekë, ndërsa një makinë me karburant ka një kosto dukshëm më të lartë. Gjithashtu, pavarësisht kostos fillestare më të lartë, në afatgjatë pronarët kursejnë rreth 30-40% krahasuar me makinat tradicionale. Jetëgjatësia e baterive varion nga 15 deri në 25 vjet garanci, megjithëse ato fillojnë të humbasin performancën pas 10-15 vitesh.

Megjithatë, sfidat mbeten të konsiderueshme. Infrastruktura e karikimit në Shqipëri numëron rreth 300 pika, të cilat janë në rritje, por ende të pamjaftueshme. Gjithashtu, mungojnë serviset e specializuara për riparimin dhe mirëmbajtjen e makinave elektrike. Lehtësirat fiskale ekzistuese, si ulja e taksave dhe lehtësimi i procedurave të regjistrimit, janë hapa pozitivë, por sipas pedagogut, nevojiten më shumë politika mbështetëse, si kreditë e buta dhe skemat e leasing-ut, për të ulur koston fillestare të blerjes.

Një trend pozitiv është rritja e ndjeshme e interesit nga të rinjtë dhe dyfishimi i importit të makinave elektrike brenda një viti (nga 2024 në 2025). Megjithatë, për të parë një dominim të plotë të tyre në rrugë, do të duhen rreth dy dekada, ndërsa deri në vitin 2030 pritet një rritje e ndjeshme e përdorimit të tyre. Për ata që jetojnë në apartamente pa garazh, karikimi mbetet ende një pengesë, duke e bërë makinën hibride një alternativë të mirë për një tranzicion më të sigurt.

/tvklan.al