Në Gjykatën Speciale të Hagës ishte radha e gjyqtarëve të kërkonin sqarime nga avokatët mbrojtës dhe nga prokurorët mbi akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit bëri të qartë që në fillim se barra e provës i takon Prokurorisë dhe se ajo dështoi të mbështeste pretendimet e saj.
“Tribunali i Hagës konkludoi se udhëheqësi serb, Milutinoviç, nuk kishte përgjegjësi penale në Kosovë, pasi ishte një figurë politike që nuk pati kontroll mbi forcat e RFJ-së. Prokuroria po ju kërkon të konkludoni se pavarësisht se një udhëheqës serb i një shteti të organizuar nuk ka pasur përgjegjësi penale për krime lufte e krime kundër njerëzimit, ju duhet të konkludoni se udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, një grup i armatosur për disa muaj, ka pasur kontroll e përgjegjësi. Kjo do të ishte padrejtësi historike”, avokat i Hashim Thaçit, Luka Misetiç.
“Prokuroria nuk ka asnjë provë kundër Veselit, ndaj i duhet të shpërndahet në të gjitha çështjet si në cirk. Dëshpërimi të bën qesharak kur nuk ke prova. Provat janë e vetmja rrugë që duhet të ndjekin prokurorët, nëse nuk ke prova mos ngri aktakuzë”, u shpreh avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit theksoi se kërkesa për një dënim 45-vjeçar është jashtë çdo logjike.
“Në mënyrë të gabuar prokuroria përpiqet që të lidhë praninë e zotit Krasniqi me disa vende krimi të pretenduara, me kryerjen e krimeve pa dhënë ndonjë dëshmi të vetme apo provë të vetme nëse ka parë ai persona të ndaluar në ndonjë vend apo nëse prania e tij ka kontribuar në ndonjë mënyrë në kryerjen e krimeve”, tha avokatja Venkateswari Alagendra.
Ndërsa avokati i Rexhep Selimit e sfidoi Prokurorinë Speciale se me akuzat e ngritura shkon deri te emri i Adem Jasharit.
“Sipas prokurorisë, i bie që edhe Adem Jashari është një anëtar i pretenduar i Ndërmarrjes Kriminale, por nuk ia përmendin emrin. Nuk mund të diskutosh thelbin e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale dhe të pretendosh që çdo anëtar i lartë në UÇK paska qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje”, tha avokati Geoffrey Roberts.
Pas dhënies së plotë të sqarimeve nga avokatët, do të jetë radha e të akuzuarve të shprehin pretendimet e tyre dhe më pas Gjykata Speciale do të tërhiqet për të marrë vendimin.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 