Sonte, në Mexico City, nis zyrtarisht Kupa e Botës 2026, turneu më i madh në historinë e futbollit, me 48 kombëtare pjesëmarrëse.

Ndeshja hapëse do të luhet në stadiumin legjendar “Azteca”, duke e bërë arenën meksikane të vetmen në histori që pret për herë të tretë ceremoninë dhe ndeshjen inauguruese të një Kampionati Botëror.

Më parë, stadiumi ka hapur edicionet e viteve 1970 dhe 1986, Botërorë të lidhur përgjithmonë me emrat e Pelés dhe Maradonës.

Atmosfera në kryeqytetin meksikan është elektrizuese, megjithëse organizatorët po monitorojnë me kujdes kushtet e motit pas reshjeve të ditëve të fundit, si edhe protestat e paralajmëruara pranë stadiumit.

Në fushën e blertë, Meksika do të përballet me Afrikën e Jugut, në një duel që rikthen kujtimet e Botërorit 2010, kur këto dy kombëtare barazuan 1-1 në ndeshjen hapëse të turneut.

Meksika e drejtuar nga Javier Aguirre hyn si favorite, e mbështetur nga mbi 80 mijë tifozë në shkallët e stadiumit dhe nga rezultatet pozitive të muajve të fundit, mes tyre fitimi i Concacaf Nations League dhe Gold Cup.

Objektivi i vendasve është jo vetëm kalimi i grupit, por edhe thyerja e traditës së eliminimeve të hershme në fazat me eliminim direkt.

Nga ana tjetër, Afrika e Jugut mbërrin në këtë sfidë me një nga trajnerët më me përvojë të turneut, belgun Hugo Broos, e vendosur të surprizojë ekipin pritës dhe të nisë me rezultat pozitiv aventurën e saj në Botëror.

Pas kësaj sfide, të dyja kombëtaret do të vazhdojnë rrugëtimin në Grupin A, ku do të përballen edhe me Korenë e Jugut dhe Republikën Çeke.

Ndeshja Meksikë – Afrikë e Jugut do të transmetohet në orën 21:00, ekskluzivisht dhe pa pagesë në Televizionin Kombëtar Klan.

Klan News

/tvklan.al