Atmosfera e Krishtlindjeve ka nisur të ndihet që në muajin nëntor në Londër, ku dhjetëra Babagjyshë të Vitit të Ri janë mbledhur në një shkollë, për t’u përgatitur për sezonin festiv.

Në këtë trajnim të përvitshëm, organizuar nga kompania “Ministry of Fun”, ata rikujtojnë traditat, shkëmbejnë përvoja dhe mësojnë teknikat për të sjellë gëzim te fëmijët.

Nga mënyra si duhet të komunikojnë me të vegjlit deri te lodrat më të kërkuara të këtij viti.

“Shkolla e Babagjyshëve na mbledh të gjithëve në një sallë, ku mësojmë për lodrat më të kërkuara të këtij viti. Shkëmbejmë histori dhe përvoja për mënyrën si funksionojnë ambientet ku presim fëmijët, si mund të përmirësohemi dhe si ta bëjmë këtë përvojë më gjithëpërfshirëse. Ndajmë këshilla që ky sezon të jetë edhe më magjik për familjet dhe fëmijët që takojmë“, tha një prej pjesëmarrësve.

Për organizatorët, përgatitjet për Krishtlindje nisin shumë më herët se dhjetori.

Sipas drejtorit të kompanisë “Ministry of Fun”, Matt Grist, telefonatat dhe rezervimet e para mbërrijnë që në fund të gushtit.

“Santa i vërtetë na telefonon dhe na thotë se ka sërish nevojë për ndihmën tonë. Përgatitjet nisin herët dhe janë të mrekullueshme, por kërkojnë shumë punë. Gëzimi i vërtetë i Krishtlindjeve nis kur këta njerëz mblidhen, ndajnë përvojat dhe mësojnë nga njëri-tjetri”, tha drejtori i “Ministry of Fun”, Matt Grist.

Për shumë prej pjesëmarrësve, ky nuk është thjesht një rol sezonal, por një pasion që kërkon përkushtim dhe dashuri për fëmijët.

“Unë i dua fëmijët dhe më pëlqen të shoh gëzimin në fytyrat e tyre kur takojnë Babagjyshin. Përgatitem duke kujtuar përvojat e vitit të kaluar dhe duke biseduar me kolegët e mi‘, tha një prej pjesëmarrësve.

Trajnimi përfshin edhe mësimin e gjuhës së shenjave me tematikë festive, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos ndihet i përjashtuar.

E mes këshillave, lodrave dhe të qeshurave, Santat po bëhen gati për misionin e tyre më të rëndësishëm, të shpërndajnë magjinë e festave.

Klan News

/tvklan.al