“Ah fëmijëria ime… Druri nuk më është hequr prej shpine”

“Historia ime” në TV Klan ka sjellë ditën e sotme, historinë e pazakontë të një gruaje 63- vjeçare, të cilën jeta e ka përballur me shumë sfida. Për Fatime Fregjajn, fëmijëria ka qenë tejet e vështirë dhe aspak si e bashkëmoshatarëve të tjerë.

Nëna e saj ka bërë 4 aborte dhe dy fëmijë të tjerë i kanë vdekur. Kur ajo ishte vetëm 13 vjeç, prindërit u ndanë dhe në studio ka treguar se babai e ka dhunuar vazhdimisht.

Mirela Milori: Je 63 vjeç?

Fatime Fregjaj: Po!

Mirela Milori: Duket sikur ka një lidhje jo të mirë, fillon historia që tek gjyshërit pse?

Fatime Fregjaj: Gjyshin në atë kohë, para 80 viteve, ma kanë vrarë për gjakmarrje dhe gjyshja mbeti me 3 vajza se s’kishte djalë. I kanë internuar në Krujë. Pasi mbaruan internimin, i kanë çuar në Shkodër, mirëpo tezja bën një faj dhe gjyshja e vari dhe u dënua 6 vjet. Mami im, babin tim e ka njohur përmes një kolegeje të punës, që kanë punuar në atë kohë dhe u martuan. Por kur ka vdekur babai i babës, gjyshja ka marrë kunatin për burrë, se kishte 3 fëmijë.

Mirela Milori: Pra një histori pak e ngarkuar. Dalim tek martesa e prindërve të tu, u martuan dhe sa fëmijë erdhën në jetë?

Fatime Fregjaj: Nëna ime ka bërë 4 aborte dhe 2 fëmijë i kanë vdekur.

Mirela Milori: Ti je fëmijë i vetëm?

Fatime Fregjaj: Kam pasur edhe një vëlla, por ai më ka vdekur para 6 viteve. Ai vdiq 52 vjeç, nga alkooli.

Mirela Milori: Kur ti ishe 7 vjeç u divorcuan prindërit në mos gaboj?

Fatime Fregjaj: Prindërit u divorcuan në ’71, kam qenë 13 vjeç kur janë divorcuar.

Mirela Milori: Ti me kë qëndrove?

Fatime Fregjaj: Qëndrova me nënën, vëllai me babain sepse babai nuk më donte mua se unë isha vajzë se i donte djem.

Mirela Milori: Si e mban mend fëmijërinë?

Fatime Fregjaj: Ah fëmijëria ime… Druri nuk më është hequr prej shpine. Edhe me tubin e ujit më ka rrahur babai. Nëna punonte në fermë, babai ishte pa punë. Nëna vinte dhe rriheshe./tvklan.al