Kosova ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Bahamasi ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë kështu shteti i 121-të që e njeh pavarësinë e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale vetë presidentja Vjosa Osmani, e cila e cilësoi këtë vendim si historik për vendin.
“Sapo kemi nënshkruar, këtu në kryeqytetin e Bahamas, marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin e Bahamas, mikun tonë të mirë Philip Davis.”, shtoi ajo.
Njohja u formalizua përmes nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike, e cila u nënshkrua në kryeqytetin e Bahamasit.
Në deklaratën e përbashkët, Komonuelthi i Bahamasit dhe Republika e Kosovës konfirmojnë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.
Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë respektimin e sovranitetit dhe barazisë së shteteve, si dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Po ashtu, shprehin vullnetin për ta ndërtuar marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.
/tvklan.al












Botërori 2026 
