Paketa e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane dominoi diskutimet në mbledhjen e së henës së grupit socialist e thirrur nga kryeministri Rama.

Akti normativ për mbështetjen e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave pritet të reflektohet në buxhetin e 2027, që do të prezantohet të mërkurën, ndërsa ndryshimet në ligjin për tubimet do të kalojnë me akt normativ nga qeveria.

“Akti normativ miratohet nga qeveria e hyn në fuqi menjëherë, dhe pastaj ka 45 ditë kohë Kuvendi për ta miratuar. Nuk kemi të bëjmë me qytetarë normalë, dhe të zakonshëm, kini parasysh që gjithë procesi i identifikimit të këtyre personave kalon dhe nga strukturat e drejtësisë, që janë procedura hetimore që ndiqen nga prokuroria, pra identifikimi i tyre kalon edhe nga drejtësia”, tha Balla.

Ndërsa propozoi që masat shtrënguese të shtrihen edhe për aktet e dhunës në stadiume, Balla mohoi zërat që paketa është hartuar për të frikësuar qytetarët.

“Po Macroni po i frikëson? Po Meloni po i frikëson? Po kryeministri po i frikëson? Këto janë masa të cilat po merren në të gjithë atë që po ndodh. Do të propozoja që të përfshiheshin edhe dhuna në stadium, sepse në një farë mënyre edhe ajo gjë është diçka që duhet marrë në konsideratë, sepse është e papranueshme që ti shkon në një ndeshje futbolli dhe shkatërron të gjithë stadiumin për shkak se humb ekipi”, tha Balla.

Balla hodhi poshtë çdo mundësi për zgjedhje të parakohshme apo dorëheqje të kryeministrit, ndërsa studentëve që kanë këto kërkesa i solli si shembull rastin e Serbisë.

“Unë po i sugjeroj studentëve të marrin shembull nga studentët e Serbisë. Kishte një protestë, zgjati për tre vite me radhë, në fund, u konkretizua me votë. Në demokraci, harrojeni se mund të ketë ndryshim të pushtetit pa votë. Dorëheqje nuk ka. Dialog, pa dyshim, përjashto seksionin e dhunës së Partisë Demokratike”, tha Balla.

Prej ditësh mazhoranca ka shprehur gadishmërinë për të dialoguar me studentët, të cilët i ka ftuar të paraqesin kërkesat dhe propozimet e tyre.

/tvklan.al