Socialistët janë optimistë për fitore në të gjitha bashkitë e vendit në zgjedhjet lokale të vitit 2027. Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, dha detaje nga procesi i riorganizimit në parti, ndërsa bëri thirrje për anëtarësime të reja.
“Thirrja ime është për të gjithë ata të rinj e të reja që duan të japin një kontribut në këtë fazë historike të përmbylljes së aspiratës tonë për ta parë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, që t’i bashkohen Partisë Socialiste si i vetmi instrument në duart e tyre për t’i dhënë fuqi këtij procesi dhe përfaqësimit të tyre. Partia Socialiste e Shqipërisë konkurron për të fituar në të 61 bashkitë e vendit”.
Nëse do të jenë 61 bashki apo një numër tjetër, këtë do ta tregojë produkti i komisionit të reformës territoriale. Taulant Balla preferon të mos japë shifra, por nënvizon se prioritet do të jetë shërbimi ndaj qytetarëve.
“Sot, pas 12 viteve nga 2014, jemi në kushtet e një reforme administrative-territoriale e cila ka prodhuar disa suksese. Duhet të konsolidohet në pjesën e mirëadministrimit dhe në përmirësimin e shërbimeve publike në dobi të qytetarëve. Nuk është çështje numri, por çështje përmirësimi i shërbimeve për njerëzit”.
I pyetur për kritikat publike të Elisa Spiropalit, Balla tha se ato nuk janë shprehur në mbledhjen e grupit, por në fund të çdo sesioni parlamentar do të bëhet një analizë e performancës së çdo deputeti.
“Ne kemi një rregull që në çdo fund sesioni bëjmë një analizë të performancës së punës së çdo deputeti. Kryesia e grupit parlamentar i paraqet grupit një raport, ku bëhet vlerësimi i performancës së secilit. Pastaj kërkohet përmirësimi i punës apo çështje të tjera. Këto janë rregulla që ekzistojnë në çdo grup parlamentar, në çdo parlament europian”.
Balla komentoi edhe nismat ligjore në proces. Bëri të ditur se projektligji i amnistisë penale po i nënshtrohet një analize të detajuar, ndërsa Kodi i Procedurës Penale do të shqyrtohet në momentin e duhur.
“Jo, nuk është në sirtarët e Kuvendit, është në procedurë kuvendore. Mendoj që edhe kjo do të shqyrtohet në momentin e duhur. Amnistia kërkon pak kohë, dhe me kolegët e komisionit të çështjeve ligjore kemi rënë dakord që të marrim më shumë kohë, sepse ju e dini që amnistitë janë procese të rëndësishme që duan një hulumtim më të mirë të propozimit që ka”.
Në mbledhjen e grupit parlamentar u diskutua mbi axhendën parlamentare të kësaj jave, ku sipas Ballës, nuk munguan as kritikat apo sugjerimet për ligjet e parashikuara për t’u miratuar.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 