Socialistët janë optimistë për fitoren në të gjitha bashkitë e vendit në zgjedhjet lokale të 2027-ës. Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, dha detaje nga procesi i riorganizimit në parti, ndërsa bëri thirrje për anëtarësime të reja.
“Thirrja ime është për të gjithë ata të rinj e të reja që duan të japin një kontribut në këtë fazë historike të përmbylljes së aspiratës tonë për ta parë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, që t’i bashkohen Partisë Socialiste si i vetmi instrument në duart e tyre për t’i dhënë fuqi këtij procesi dhe për t’i dhënë fuqi përfaqësimit të tyre. Partia Socialiste e Shqipërisë konkurron për të fituar në të 61 bashkitë e vendit.”
Nëse do të jenë 61 bashki apo një numër tjetër, këtë do ta tregojë produkti i komisionit të reformës territoriale. Taulant Balla preferon të mos japë shifra, por nënvizon se prioritet do të jetë shërbimi ndaj qytetarëve.
“Unë nuk… edhe hezistoj të parashikoj se sa do të jetë numri i bashkive, se nuk është çështje numri, është çështje përmirësimi i shërbimeve për njerëzit.”
I pyetur për kritikat publike të Elisa Spiropalit, Balla tha se ato nuk janë shprehur në mbledhjen e grupit, por në fund të çdo sesioni parlamentar do të bëhet një analizë e performancës së çdo deputeti.
“Ne kemi një rregull që në çdo fund sesioni bëjmë një analizë të performancës së punës së çdo deputeti, kryesia e grupit parlamentar i paraqet grupit parlamentar një raport. Atëherë bëhet një vlerësim i performancës së secilit, ku padyshim pastaj kërkohet përmirësimi i punës apo çështje të tjera. Është, janë rregulla të cilat ekzistojnë në çdo grup parlamentar, në çdo parlament europian.”
Balla komentoi edhe nismat ligjore në proces. Bëri të ditur se projektligji i amnistisë penale po i nënshtrohet një analize të detajuar, ndërsa Kodi i Procedurës Penale do të shqyrtohet në momentin e duhur. Në mbledhjen e grupit parlamentar u diskutua mbi axhendën parlamentare të kësaj jave, ku sipas Ballës nuk munguan as kritikat apo sugjerimet për ligjet e parashikuara për t’u miratuar.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 