Avokatja e Popullit: Femicidi krimi më i rëndë në një shoqëri. Prej viti 2010, 159 gra të vrara

Dhuna në familje dhe vrasja e grave është një nga shqetësimet më serioze të shoqërisë shqiptare. Në aktivitetin për Lançimin e ngritjes së Observatorit për Femicidet pranë institucionit të Avokatit të Popullit, me rastin e 8 Marsit, avokatja e popullit Erinda Ballanca dhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla thanë se shifrat e dhunës në familje me bazë gjinore dhe vrasja e grave mbeten të larta.

“Vrasja e grave dhe vajzave është një nga format më ekstreme të dhunës dhe përgjatë vitit 2023 përsëri 12 gra dhe vajza humbën jetën dhe kishim edhe 5 vrasje që ngelën në tentativë vetëm gjatë këtij viti.”

“Një element tjetër janë krimet seksuale nga të cilat kemi 125 në total, nga të cilat 103 janë gra dhe vajza dhe mos harroni asnjëherë që këto shifra që po ndaj sot me ju janë thjeshtë dhe vetëm maja e ajsbergut.”

Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, 629 vajza dhe gra kanë denoncuar raste të dhunës ndërsa janë dhënë rreth 350 urdhra mbrojtjeje. Ndaj në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Balla u ka bere apel grave që të denoncojnë dhunën, ndërsa ripërmendi faktin se pronat e konfiskuara do jenë në shërbim të viktimave të dhunës.

“Dua që të lartësoj sot vajzat dhe gratë që marrin përsipër të denoncojnë dhunën. Ata janë heroinat e shoqërisë tonë dhe gjithashtu na takon ne që të kujdesemi.”

Duke ju referuar rastit të vetëvrasjes së 41-vjeçares në Sukth të Durrësit, për shkak të bullizimit në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm tha se do bëhen ndryshime ligjore për dhunën online.

“Ne kemi një situatë, që pjesën, gjithë pjesën e dhunës që ndodh online e kemi të pambuluar me ligj dhe kam identifikuar disa forma të dhunës. E para është përndjekja kibernetike, nuk ekziston fare në legjislacionin tonë, ngacmimi kibernetik, gjuha e urrejtës, nxitja e dhunës, përmes urrejtjes, abuzimin me imazhin intim pa vullnetin e palës, shantazhim seksual etj.”, tha ai.

Ngrita e Obsrevatorit të Observatorit të Femicidit” në Shqipëri, pjesë e programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj Grave”, ka për synim synon që përmes mbledhjes së të dhënave të forcojë mekanizmat parandalues kundër vrasjes së grave dhe vajzave.

Klan News