Drejtuesi i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla nga Selaniku i bëri thirrje kompanisë kontraktore DHL që të respektojë kontratën e nënshkruar me autoritetet shqiptare për dërgimin e votës së emigranteve nëpërmjet këtij shërbimi postar.

“Kompania ndërkombëtare DHL duhet të përmbushë një më një detyrimin që ka nga kontrata me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pra me shtetin shqiptar. Nuk mund të tolerojmë asnjë sorollatje të bashkatdhetarëve. Kemi paguar si shtet postën vajtje-ardhje dhe duam shërbimin siç duhet ta garantojë reputacioni ndërkombëtar i kësaj kompanie dhe të mos shfajësohet pas nënkontraktorëve”, tha Balla.

Sipas Ballës, çdo qytetar ka të drejtën të zgjedhë vetë orën dhe vendin e dorëzimit përmes link-ut që u është dërguar dhe u kujton se posta është e parapaguar nga shteti shqiptar. Në rast se qytetarët nuk arrijnë ta marrin në dorëzim në përpjekjen e parë, postierët duhet të bëjnë deri në dy tentativa të tjera për t’i kontaktuar.

KQZ-ja ka shpërndarë zarfat me mbi 240 mijë fletët e votimit, teksa mësohet se afro gjysma e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, i kanë marrë në dorëzim. Pranë KQZ-së kanë mbërritur rreth 8700 fletë votimi nga diaspora.

Tv Klan