Brenda pak javësh, Shqipëria do të ketë regjistrin unik të adresave ku çdo objekt banimi apo biznesi do të ketë adresën e saktë me emërtimin e rrugës dhe numrin e objektit. Projektligji u prezantua nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, në Komisionin e Ligjeve.

Taulant Balla, ministër i Brendshëm: Nëse deri tani kemi pasur regjistra adresash nga institucione të ndryshme siç ka qenë regjistrin e vetë Kadastra, regjistrin e vetë bashkia, një regjistër tjetër te OSHE  apo të tjerë, pas miratimit të këtij ligji ne do të kemi një regjistër unik adresash.

PD kërkoi shpjegime nëse ky kod unik që parashikohet të kenë banesat, do të jetë i njëjti kod që aplikohet te lista e zgjedhësve.

Oerd Bylykbashi, nënkryetar i PD: Ju përmendni kodin unik të adresës në projektligj. A është i njejtë me kodin unik që parashikon kodi zgjedhor të aplikohet sot e kësaj dite tek listat e zgjedhësve apo është një kod unik tjetër dhe nëse është tjetër çfarë do të bëhet që këto të jenë të harmonizuara që të mos ketë konfuzion mes dy të dhënash të rëndësishme të kodit shqiptarë?

Tualant Balla, ministër i Brendshëm: Ky ligj nuk ka asnjë lidhje me listat e zgjedhësve.

Të gjithë qytetarët do të kenë një kod unik për adresën e tyre të cilën mund ta identifikojnë përmes e-Albania, dhe sipas Ballës i jepet një zgjidhje përfundimtare një problematike të tejzgjatur për mungesën e unifikimit të sistemit të adresave në Shqipëri.

Klan News