Në të njëjtën linjë me kryeministrin, kreu i grupit kuvendor socialist mendon se protestën qytetare të nisur për Zvërnecin e morën peng njerëz me agjenda politike dhe ndërkombëtare. Pavarësisht se sot shënohet dita e 30 e protestës, Balla mendon se ajo mund të konsiderohet një tullumbace e çarë tashmë.

“Janë përfshirë edhe elementë që nga dita e parë që e frynë këtë tullumbace. Duket qartë që janë interesa që lidhen me konkurrencë rajonale, me influencë të vendeve jo miqësore me Shqipërinë. Ky tullumbace po shfryhet i plasur në sytë e gjithë qytetarëve shqiptarë. Ata flasin për Shqipërinë e re, për Shqipërinë europiane”.

Edhe pse të gjithë socialistët kanë respektuar vendimin politik të ndërmarrë nga kryeministri për të mos folur për deputeten e larguar Marjana Koçeku, Balla i kërkoi pas mbledhjes së grupit parlamentar t’i kthejë mbrapsht mandatin e deputetes së Partisë Socialiste.

“Një njeri që nuk di të respektojë ata që e kanë zgjedhur, dhe personin në fjalë e ka zgjedhur PS. Të dorëzojë mandatin, s’është person i votuar drejtpërdrejt”.

Balla pranon se koha nuk është e mjaftueshme që brenda këtij sesioni të miratohen ndryshimet e hartës territoriale, siç ishte parashikuar kur u ngrit komisioni i posaçëm bipartizan i reformës administrative-territoriale.

Tv Klan

/tvklan.al