Teksa jashtë Kuvendit vijonte përplasja mes protestuesve dhe uniformave blu, Taulant Balla akuzoi nga seanca plenare Iranin, vendet fqinje si dhe Kremlinin se po financojnë protestat e dhunshme kundër qeverisë, me qëllim destabilizimin e Shqipërisë.
“Kush në Shqipëri nuk e beson dot se këtu është dorë e huaj që po paguan para për të destabilizuar Shqipërinë, duhet ta kuptojë që kjo është jo vetëm Irani dhe vende fqinje që nuk duan ta shohin Shqipërinë në turizëm, por edhe aktorë të tjerë, përfshirë edhe Kremlinin”.
Pak minuta pas kësaj deklarate, jashtë Kuvendit, Balla foli me emra për ekzekutorët e atij që e cilësoi skenar joshqiptar, pas së cilit tha se qëndrojnë eksponentë të botës së krimit.
“Kush po bën dhunë është me precedentë të rëndë kriminalë. Një prej atyre personave në kërkim bën dhunë aty, i dënuar në 20 vjet 15 herë, Anton Frroku. Këtu ka persona të paguar, Dritan Goxhaj që paguhet nga Irani. Kolegu Manja e Kadeli kanë pirë kafe pranë godinës së Parlamentit dhe aty janë sulmuar fizikisht nga banda kriminale e Gentian Prognit. Është turpi i Policisë së Shtetit që e ka lënë, por këto raste duhen proceduar në mënyrë të menjëhershme”.
Çdo dorë e ngritur ndaj uniformave blu, sipas tij, do të marrë përgjigjen e fortë të ligjit.
“I bëj me dije kujtdo se kushdo që ngre dorën ndaj policisë do të përballet me forcën e policisë. Kush sulmon Policinë e Shtetit ka sulmuar shtetin. Ne nuk mund të zbrapsemi se një grup mbeturinash thonë se parlamenti duhet të shpërndahet. Gjaku i policëve është gjaku i shtetit… ajo është goditje dhe sulm ndaj detyrës”.
Në emër të mazhorancës qeverisëse, Balla paralajmëroi uljen në tryezën e dialogut me një pjesë të protestuesve që, sipas tij, mbrojnë shqetësimet për natyrën.
“Qeverisja e saj, pak pas ditësh, do të vijë momenti kur të ulet me protestuesit e vërtetë, ata që u ngritën për natyrën. Protestuesit e vërtetë janë qytetarët që mbushën bulevardin dhe jo persona të rrezikshëm kriminalë”.
Qëndrimi i kreut të grupit parlamentar të socialistëve erdhi pas përfundimit të seancës plenare, punimet e së cilës u bojkotuan nga demokratët pa nisur ende mirë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 