Partia socialiste nuk është avokat mbrojtës i askujt që shkel ligjin.

Kështu deklaroi kreu i grupit parlamentar Taulant Balla teksa foli para gazetarëve për arrestimin e ish kreut të SHISH, Vlora Hyseni.

Sipas tij, mazhoranca nuk komenton përmbajtjet e dosjeve por i bën thirrje organeve të drejtësisë të çojnë hetimin deri në fund.

“Ne nuk hyjmë në meritën e dosjeve, nuk komentojmë përmbajtjen e dosjeve dhe çdo zyrtar duhet ta kontestojë kufizimin e lirisë të të gjitha formave në gjykatë. PS nuk është avokate mbrojtëse e askujt. Ata që fërkojnë duart nga sukseset e reformës në drejtësi, duhet të mos harrojnë që është PS që e mori angazhimin, në 2016, pulat erdhën më kokën poshtë dhe duart lart, votuan vetëm ndryshimet në kushtetuese, më pas nuk erdhën për të votuar asnjë prej ligjeve”, tha Balla.

Balla ngriti shqetësimin edhe për shifrat e larta të paraburgimit në Shqipëri.

“Shqipëria sa i përket pjesës që lidhet me kufizimin e lirisë para vendimeve të gjykatës, duhet t’i japë fund kësaj praktike. Pyesni Chatgtp: Kush është delja e zezë e Europës sa i përket paraburgimit? Dhe do t’u japë përgjigjen: Shqipëria”, tha Balla.

Balla u ndal edhe tek axhenda parlamentare. Demokratët sapo kanë depozituar në Kuvend draftin e tyre për reformën territoriale, ndërsa socialistët janë drejt përfundimit të shqyrtimit parlamentar për ndarjen e territorit në 46 bashki.

“Kur kam pasur ndonjëherë që kam dështuar në votime? Do të presësh njëherë. Nuk komentoj pa mbledhjen e grupit parlamentar. Di që Komisioni i Ligjeve po bën një punë të shkëlqyer. Përshëndes faktin që PD ka kuptuar që në demokraci konkurrohet me propozime. Ka ardhur një propozim, në ligj përcaktohet që çdo lloj drafti që vjen për ndryshime në hartën administrative-territoriale, duhet t’u shkojë këshillave bashkiakë”, tha Balla.

Opozita kërkon që drafti i mazhorancës të shqyrtohet bashkë me të tyrin, duke pezulluar shqyrtimin akual deri në përfundim të fazës konsultative të projektligjit të PD në këshillat bashkiakë.

/tvklan.al