Në Bergamo, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla u kërkoi votën bashkatdhetarëve. Balla ju foli atyre edhe për kundërshtarët e socialistëve.
“Thoshin: po më patë mua me Saliun unë do ta lë politikën. Aty i ke si pulat, njëri pas tjetrit. Kanë hallin a do zgjidhen prapë deputetë se këta e konsiderojnë punën e deputetit si vend pune. Unë nuk e kam parë kurrë të qënurit deputet si vend pune, por si një nder i madh për të patur salla si këto dhe për të komunikuar me popullin e mbi të gjitha për t’i shërbyer njerëzve. Ky është dallim i madh”, thotë Balla.
Sipas Ballës, Berisha nuk mund të jetë ofertë politike për t’i besuar.
“Ka ndonjë njeri në këtë sallë apo ka ndonjë njeri në Shqipëri që mendon se një person i shpallur non grata për korrupsion të nivelit të lartë, për sabotim të demokracisë, mund të drejtojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE. Një person i cili ende ka hesape të hapura me popullin dhe me drejtësinë në Shqipëri, kurrsesi nuk mund të jetë ofertë politike për t’i besuar edhe një herë pasi ia ke besuar edhe herë të tjera të drejtojë Shqipërinë. Ju e shihni që unë nuk ia përmend emrin sepse më mirë t’i themi “buf kënete” se sa t’i themi emrin”, shprehet Balla.
Balla ju kujtoi atyre deklaratat e Berishës kur ishte në pushtet.
“Nuk po them që ne jemi më të mirë se Italia, se ishte ky bufi i pulave ose i kënetës që thoshte: jemi të dytët pas Gjermanisë. E mbani mend. Ne nuk kemi qenë ndonjëherë të dytët pas Gjermanisë, por sa i përket kësaj pjese jemi ndër më të sigurtët në Europë”, tha Balla.
Balla tha se Shqipëria do të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që do të hyjë në BE.
Klan News