Procedura e ndjekur për transferimin e Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit ka shkaktuar debate brenda mazhorancës.
Burimet thanë se, në mbledhjen e grupit, kryetari i Komisionit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ka kërkuar sqarime nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, të cilin e ka pyetur nëse ka apo jo një vendim zyrtar për transferimin e Veliajt.
“A ka një dokument për transferimin, sepse nëse është bërë transferimi pa një vendim të shkruar, është e rëndë.”
I pyetur nga gazetarët, Çuçi nuk e mohoi debatin brenda grupit socialist dhe refuzoi të përgjigjej nëse i ka kërkuar apo jo dorëheqjen ministrit të Drejtësisë.
“Ka gjëra shumë më të rëndësishme sot për të adresuar.”
Debatin nuk e mohoi as kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili tha se ka kërkuar verifikimin e procedurës së ndjekur nga institucionet përgjegjëse.
“Kam besim që edhe çështja në fjalë do të verifikohet. Jo vetëm nga Avokati i Popullit, ministri i Drejtësisë, Drejtori i Përgjithshëm. Madje sot në grupin parlamentar kam kërkuar edhe komisionin për mbikëqyrjen në një program pune që ka ky institucion. Që dje ka qenë në një nga institucionet e paraburgimit, siç është rasti i 313 dhe duhet që çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave të trajtimit të paraburgosurve të trajtohen në kuadër të procesit që Shqipëria është në integrimin drejt Bashkimit Europian.”
Pas këtyre diskutimeve në grup, dy kryetarët e komisioneve parlamentare, Bledi Çuçi dhe ai i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, mësohet se i janë drejtuar me një shkresë zyrtare ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Ata duan të njihen me procedurat e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, nëse ato janë konform ligjit.
Vendimi për transferimin e Veliajt erdhi dy ditë pas deklaratës që ai bëri në mbështetje të fitores së studentëve në Serbi, pas protestave gati dyvjeçare.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 