Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas paraqitjes në SPAK, Balluku ka thënë në një prononcim të shkurtër për mediat se ishte një thirrje për dosjen hetimore për inceneratorin e Tiranës, për të cilën ka thënë se duhet të jepte disa sqarime.

Më tej, Balluku është shprehur se kjo është ndarja e vërtetë e pushteteve, ku qeveria ka punën e saj dhe po ashtu drejtësia, të cilën ka thënë se e mbështesin. Për dosjen e inceneratorit të Tiranës, Balluku është shprehur se i ka ardhur koha të zbardhet.

Belinda Balluku: Ishte një thirrje përsa i përket dosjes 255, që është inceneratori i Tiranës, duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kjo është ndarja e vërtetë e pushteteve për atë që ne kemi folur gjithmonë. Pra, qeveria ka punën e saj, parlamenti ka punën e tij dhe drejtësia ka punën e saj dhe ne jemi këtu për ta mbështetur padyshim. Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh dhe të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet për të ndarë njëherë e mirë të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm.


/tvklan.al