Ndonëse situata nga moti i keq ka një përmirësim të lehtë në të gjithë vendin, gjendja mbetet problematike në Durrës. Dalja sërish nga shtrati e lumit Erzen gjatë natës ka bërë që të evakuohen të tjerë persona nga shtëpitë e tyre.
Forcat e ushtrisë dhe ato të emergjencave civile janë në terren ndërsa gjendja është më e rëndë në zonën e Sukthit, Katundit të Ri dhe Vadardhës. Për shkak të nivelit të ujit edhe mjetet e ushtrisë e kishin të vështirë për të hyrë ndaj u kërkua ardhja e gomoneve për të bërë evakuimin e banorëve.
Sipas të dhënave, janë larguar nga shtëpitë rreth 1200 qytetarë përfshirë edhe të prekurit në zonën periferike të Durrësit. Një pjesë e tyre janë strehuar veç Kavaleshencës së qytetit, edhe në hotele në bregdet e të tjerë kanë shkuar te të afërmit e tyre. Autoritetet raportojnë se nga përmbytjet janë prekur 2645 shtëpi ndërsa sipërfaqja nën ujë në të gjithë qarkun është rreth 7 mijë ha.
“Situata është me e qetë edhe pranë urës së Mifolit në Vlorë. Niveli i ujit ka rënë ndërsa problematike është gjendja në fshatin Bishan. Në këtë fshat janë 20 shtëpi nën ujë ndërsa në të gjithë qarkun janë rreth 250 ha tokë e përmbytur”.
“Më serioze paraqitet gjendja në zonën e Fierit. Shumë banesa janë nën ujë në fshatin Ferras që është më i godituri nga përmbytjet. Veç dëmeve materiale që janë të shumta ka patur edhe ngordhje të gjësë së gjallë”.
Në qarkun e Lezhës gjendja vijon të jetë problematike në bashkinë e Kurbinit. Ndërsa në të gjithë qarkun janë rreth 4 mijë ha tokë nën ujë. Ndërkohë qyteti i Lezhës u prek nga reshjet e borës.
Në Dibër ka patur probleme nga reshjet e borës. Vështirësi në qarkullim ka drejt njësive administrative ndërsa autoritetet punojnë për t’i mbajtur rrugët e hapura dhe të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike. Ndërkohë në aksin Klos-Burrel ka patur probleme në lëvizjen e mjeteve për shkak të shembjes në rrugëve dhe inerteve.
Në Gjirokastër pati sërish rrëshqitje masive në aksin Gjriokastër-Tepelenë në 3 pjesë të tij dhe lëvizja është bërë vetëm në një sens. Ndërkohë mbetet i bllokuar qarkullimi drejt pikës kufitare të Tre Urave në Përmet pas dëmtimit të asfaltit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 