Guvernatori i Bankës Qendrore Ardian Fullani në përfundim të mbledhjes së këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, u shpreh për një tendencë uljeje që do të kenë çmimet e konsumit në muajt në vazhdim. Fullani konfirmoi se inflacioni në rritje gjatë muajve të parë të këtij viti, ka ardhur nga importi, kryesisht nga rritja e çmimit të naftës , dhe produktet ushqimore në tregjet ndërkombëtare.

Ardian Fullani: “Inflacioni në muajin Prill 2011, arriti në 4.1% duke zbritur gradualisht drejt objektivit të Bankës së Shqipërisë. Ecuria e inflacionit reflekton rritjen e lartë të çmimeve të produkteve ushqimore, çmimet e rritura të disa mallrave të aksizës, dhe një masë më të vogël inflacioni e çmimeve të administruar. Kategoritë e ushqimeve të konsumuara, dhe mallra konsumi jo ushqimorë ku përfshihet nafta dhe barnat, kam vënë objektiv kryesor në inflacion.”

Për sa i përket ecurisë së përgjithshme së ekonomisë shqiptare, guvernatori tha se trendi i rritjes ekonomike do të jetë në rritje edhe gjatë këtij viti. Për këtë guvernatori i është referuar të dhënave më të fundit të shkëmbimeve tregtare.

Ardian Fullani: “Profesionet tona për të ardhmen mbështesin ruajtjen e ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare, dhe në vazhdim të këtij viti. Konsumi i investimeve private pritet të rritet më tej ndërkohë që pas ngadalësimit të vitit 2010, edhe sektori fiskal pritet të japë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.”

Duke u ndalur në sistemin financiar, veçanërisht në atë bankar, kreu i Bankës Qendrore konfirmoi rritjen e kreditimit të muajit të kaluar si për biznesin ashtu edhe për individët. Për sa i përket ecurisë së monedhës vendase ndaj valutës, Fullani tha se kursi i këmbimit do ecë në ritme të njëjta me ekonominë, duke qenë brenda parashikimeve të Bankës së Shqipërisë./tvklan.al