Vendimet e rëndësishme për interesat e kredisë, inflacionin dhe stabilitetin e çmimeve nuk merren rastësisht. Pas tyre fshihen studime të gjata ekonomike.

Këtë e theksoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në 20-vjetorin e Workshop-it të Kërkimit Ekonomik të Evropës Juglindore.

“Kjo punë e vazhdueshme kërkimore ka mbështetur vendimmarrjen e politikës monetare, duke kontribuar në mbajtjen nën kontroll të inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Në fund të fundit, vlera e këtyre përpjekjeve qëndron në ndikimin e tyre në ekonominë reale dhe në jetën e përditshme të njerëzve. Stabiliteti i çmimeve, ruajtja e fuqisë blerëse, aksesi në financim dhe besimi në sistemin bankar janë elemente thelbësore për mirëqenien ekonomike”, tha Sejko.

Në këtë forum ku marrin pjesë 44 vende, u vu theksi te përdorimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së re për të parashikuar më shpejt krizat dhe trendet ekonomike.

“Teksa bankat në pasiguri duhet të adresojnë çështje për politikën monetare e transformimin e teknologjisë, e cila hap mundësi dhe ngre pikëpyetje lidhur me kushtet financiare në ndryshim… investimi në kërkim dhe analizë i bën të orientuara drejt të ardhmes, për institucione të forta e të qëndrueshme”, tha zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës, Philipp Arnold.

Për ta çuar këtë bashkëpunim më tej drejt standardeve evropiane, Banka e Shqipërisë njoftoi se do t’u hapë studiuesve aksesin në të dhënat e saj të detajuara dhe do të nisë një seri të re publikimesh të përbashkëta rajonale.

/tvklan.al