Ekonomia shqiptare po vijon prirjen e saj pozitive, e mbështetur nga tregje financiare të qeta dhe një rritje e kujdesshme e kredisë. Bazuar në këtë ecuri, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit.

“Ekonomia shqiptare qëndron në një trend solid rritjeje, tregjet financiare janë të qeta dhe kredia për ekonominë shënon rritje të kujdesshme. Përditësimi i parashikimeve tregon se inflacioni ka gjasa të rritet gjatë dy-tre muajve të ardhshëm, një rritje kjo e moderuar dhe e përkohshme. Nga mesi i vitit të ardhshëm, ai pritet të shënojë rënie graduale drejt objektivit”, tha Sejko.

Guvernatori Sejko u shpreh se presion mbi çmime po ushtron karburanti dhe çmimet e qirave, ndërkohë që forcimi i lekut nuk po arrin të amortizojë këto rritje. Sipas tij vëllimi i ekonomisë në vend ka forcuar pozitat rritëse mbështetur nga konsumi, ndërtimi e turizmi.

“Kreditimi në lekë vijon të zgjerohet, kreditë me probleme kanë rënë, ndërsa bilancet e sektorit privat dhe ato publike mbeten të qëndrueshme. Ekonomia do zgjerohet nga rritja e punësimit dhe pagave. Rritja do jetë më e lartë se parashikimet parardhëse dhe do balancojë më mirë kërkesë ofertën”, shtoi ai.

Banka e Shqipërisë vlerëson se faktorët makroekonomikë mbeten të qëndrueshëm teksa informacioni i ri në muajt në vijim do të kushtëzojë qëndrimin e politikës monetare në stabilizimin e çmimeve.

Tv Klan

/tvklan.al