Grupi Parlamentar i PD do të vijojë të këmbëngulë në kërkesën e tij për heqjen e mandatit të deputetes së PS, OIta Xhaçka, edhe pse socialistët në Parlament votuan kunder dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të një kërkese të tillë.

Pas diskutimeve për rreth tre orë me deputetët në mbledhjen e Grupit, Gazment Bardhi deklaroi se demokratët do të ridepozitojnë në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës.

Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar PD: Do të ridepozitoj në Gjykatën Kushtetuese kërkesën sa i takon mandatit të Olta Xhaçkës, si shprehje e vullnetit të plotë që ne nuk mund të pranojmë që në vitin 2024 të shkelen hapur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke i dhënë mbrojtje politike një eksponenti të lartë të mazhorancës.

Bardhi pati akuza për Lulzim Bashën dhe disa prej deputetëve që mbështesin atë pasi nuk kanë pranuar të bashkojnë firmat për të bërë ridepozitimin e kërkesës në “Kushtetuese”.

Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar PD: Unë kam besuar dhe besoja se zoti Basha nuk kishte asnjë arsye për ta marrë edhe ai si Edi Rama në mbrojtje Olta Xhaçkën dhe shpreh indinjatën time edhe personale edhe politike edhe në emër të grupit parlamentar që të katër kolegët që janë reshtuar me zotin Basha nuk kanë pranuar që t’i përgjigjen thirrjes soë për t’ju bashkuar kësaj padie.

Pavarësisht refuzimit të katër deputetëve, Bardhi tha se do të shfrytëzohen mekanizma të tjerë ligjorë për të bërë të mundur ridepozitimin e kërkesës.

Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar PD: Do të dërgohet përmes 1/5-ës pa diskutim, sikundër e ripërsëris, janë dy mocione këtë nuk ka llogaritur kolegu i nderuar zoti Basha, që janë dy mocione me 1/10-ën. Kështu nuk pengojnë dot dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Ndonëse Sali Berisha është ende jashtë Grupit pavarësisht shkresës zyrtare dërguar Kuvendit, Bardhi tha se nuk ka asnjë që e pengon ish-kryeministrin që të jetë pjesë e Grupit.

Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar PD: Ky është Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike që ka kryetar Sali Berishën. Çdo çështje tjetër pastaj që Edi Rama tenton të provokojë opozitën, dhe ta fusë gjithë këtë histori në absurditete të paimagjinueshme do duhet të përballet me pasojat.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, u diskutuan dhe propozimet për Reformën Zgjedhore, të cilat parimisht konsistojnë në krijimin e koalicioneve parazgjedhore dhe listat e hapura.

Klan News