15 shtator 2026, Tiranë – Vijuan edhe këtë të martë diskutimet lidhur me pagat e gjyqtarëve edhe në Kryesinë e Kuvendit.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, Kuvendi ka shkelur urdhrin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne themi nuk ka rëndësi çfarë thotë gjykata, vijmë në Kuvend dhe propozojmë ndryshe. Se kështu duam ne dhe hyjmë në terrenin e cenimit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Mund të ulet paga e presidentit, ministrave, nëpunësve civilë, por magjistrati ka garanci të shprehur në Kushtetutë. Është pjesë thelbësore e statusit të tij, nëse do varej nga humori i deputetëve, nuk do të kishte më gjyqësor të pavarur”, argumentoi ai.

Sipas tij, duhet miratuar sa më shpejt një ligj, në mënyrë që çështja të mos zvarritet. Më tej vuri theksin te mungesa e një studimi apo analize në relacionin shoqërues të projektligjit.

“Sot një gjyqtar në shkallë të Parë në sistem, merr pagë në dorë gjithsej 2.2 milionë lekë të vjetra. Kaq çon sot në shtëpi një gjyqtar dhe prokuror që nxjerr drejtësi për shqiptarët. Se kam parë ca tabela të kryeministrit, që nuk e di kush ia bën…Më pak se drejtori i AKSHI-t”, shtoi Bardhi.

“Në 10 vite, propozoni rritje me 85 mijë lekë të vjetra”, u tha ai socialistëve.  

Magjistratët dhe punonjësit e administratës nuk kanë marrë pagat e muajit gusht, pas vendimit të qeverisë për të bllokuar pagesat. Shkak është bërë rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, e vendosur prej tyre pas mosveprimit në kohë të Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Për situatën, magjistratët kanë kallëzuar në SPAK Ministrin e Financave, Petrit Malaj, Sekretarin e Përgjithshëm Gentian Keli dhe 14 drejtues të Thesarit në rrethe. Ndërkohë, çështja është dërguar edhe në Gjykatën Administrative, e cila urdhëroi qeverinë dhe Thesarin e Shtetit të kalojnë pagat në llogaritë e punonjësve të sistemit të drejtësisë.

Pavarësisht vendimit të gjykatës, qeveria nuk ka kryer pagesat, duke e lidhur zgjidhjen me miratimin e ligjit të ri për pagat në Kuvend, i cili pritet të votohet në seancën e 17 shtatorit.


/tvklan.al