“Do të luftojmë deri në fund për rrëzimin e regjimit”

“25 prilli është një masakër elektorale”, kështu e nisi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha komentin e tij për zgjedhjet e 25 prillit. Përgjegjës për këtë bën kryeministrin Rama ndërsa ngriti një sërë pyetjesh për rezultatet.

“Si i morën votat tre deputetët e Tom Doshit të listës së zezë të Departamentit të Shtetit? Si i mori votat Vangjush Dako i listës së zezë të Departamentit të Shtetit bashkë me tre përfaqësuesit e krimit në Durrës Jurgis Çyrben e kokainës dhe Plarent Dervishit, me Rrahamn Rrajën e kokainës dhe familjes së tij dhe klanit të tij kriminal dhe Ilir Ndraxhi i Avdylajve. Si i morën votat djali i Aqif Rakipit dhe dhëndri i Aqif Rakipit, një nga familjet e njohura kriminale të Peqinit? Si i mori votat Aurora Mara e Gent Marës person në kërkim ndërkombëtar për trafik droge?”

Basha tha se tashmë është detyrë e opozitës që të rikthejë demokracinë në vend dhe për këtë premtoi betejë në të gjitha mënyrat.

“Kjo betejë do të bëhet në të gjitha frontet mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë dhe përfundimi i saj do të jetë i qartë, rrëzimi i regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë, shqiptarëve”.

Në orët e pasdites gjatë një takimi që pati me kandidatët e Partisë Demokratike që garuan në zgjedhje, mësohet se Basha ka shuar çdo alibi për bojkot të parlamentit, duke konfirmuar se 59 deputetët e opozitës do ta vijojnë betejën në Parlament.

Qëndrimi i kryedemokratit ka ardhur si replikë pas kërkesës së bërë nga drejtuesi politik i qarkut të Lezhës Mark Marku për të nisur protestat. Burimet brenda takimit thanë për TV Klan se, prioritet sipas Bashës për momentin është vetëdijësimi i njerëzve për masakrën elektorale të 25 Prillit.

Për këtë arsye ai ka paralajmëruar edhe nisjen e një turi falenderimesh në rrethe, paralelisht me dosjen që po përgatit grupi i juristëve dhe ekspertëve në Partinë demokratike.

Materialet që po mblidhen do t’i dërgohen krahas partnerëve edhe në SPAK dhe KQZ, ku demokratët do të kërkojnë hapjen e disa kutive të votimit.

Tv Klan