Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu prezantoi pronarëve të shpronësuar, programin e qeverisë së tij pas 25 prillit për pronat. Basha shpjegoi premtimet e tij për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave në Shqipëri duke e konsideruar ligjin Rama të vitit 2013 si një shpronësim të dytë të pronarëve të ligjshëm në Shqipëri duke u zotuar për ta shfuqizuar atë.

Basha tha se programi është hartuar në bashkëpunim me shoqatat e pronarëve të shpronësuar. Por çfarë përmban programi i PD-së për pronat? Lulzim Basha deklaroi se pas 25 Prillit do të merret nisma për hartimin e një kuadri të ri ligjor që do t’i japë zgjidhje çështjes së trajtimit të pronësisë.

Basha tha se pronarët do të shkarkohen nga kostot administrative si dhe tarifat dhe taksat gjyqësore në proceset administrative dhe gjyqësore të cilat do të mbarten nga shteti. Po ashtu ai u zotua për përfundimin e procesit të legalizimit. Sipas Bashës do të krijohet një agjenci ombrellë që përfshin të gjitha agjencitë që kanë në fokus pronën private dhe publike dhe kontrolli antikorrupsion brenda kësaj agjencie. Adresimi i çështjeve të abuzimit me pronën do të bëhet në SPAK sipas kreut opozitar.

Lulzim Basha: Shfuqizim tërësor i ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë dhe akteve nënligjore sa i takon përfundimit të procesit kalimtarë të trajtimit të pronës. Kuadri i ri për çështjet e pronësisë do të jetë guri i themelit mbi të cilin do të ngrihet trajtimi nga qeveria karshi pronës private të pakthyer, pronës private të individit dhe pronës publike të nëpërkëmbur. Në emër të Partisë Demokratike angazhohem se kuadri i ri ligjor do të reflektojë reflektimin e parimeve themelore ku prioritetet do të jenë: kthimi i pronës, kompensimi fizik, pra në natyrë i pronës dhe… apo pjesa marrje me obligacione në fondet e investimeve publike sipas marrëveshjes me pronarët e shpronësuar. Garantimi dhe respektimi i titujve të pronësisë referuar një vendimi i formës së prerë administrative apo gjyqësor, të cilët në asnjë rast nuk do të preken pa një proces të rregullt ligjor. Garantimi i ekzekutimit të veprimeve përfundimtare të kompensimit të pronës të pa ekzekutuara duke ju referuar zërit kadastra të përcaktuar në to. Përfshirja në fondet e kompensimit fizike të pronave të konfiskuara për efekt të ligjit anti-mafia përfshirë edhe rastet e kontratave PPP apo koncesioneve korruptive. Kërkesat e pa trajtuara do t’i nënshtrohen ligjit në kohën në fuqi në kohën e depozitimit të kërkesës në agjenci, ndërsa ekzekutimi do të kryhet në të njëjtën skema si rastet e ekzekutimit të vendimeve të tjera përfundimtare. Kërkesat e reja që nuk janë paraqitur më parë do të trajtohen në frymën e ligjit të ri. Pronarët do të shkarkohen nga kostot administrative si dhe tarifat dhe taksat gjyqësore në proceset administrative dhe gjyqësore të cilat do të mbarten nga shteti. Ne jemi të bindur që drejtësia është në themelin e çdo veprimi të mirëqeverisjes ndaj angazhohemi që të rishikojmë hartën e vlerës së pronës që do të jetë unike për të gjitha rastet e trajtimit të pronës. Ne angazhohemi që në përfundimin e procesit të legalizimit të filluar prej vitesh duke i garantuar pronarëve kompensimin e plotë dhe të drejtë të pronës, të bëjmë të mundur plotësimin e një prej objektivave të këtij ligji. Fondi i kompensimit të legalizimit do të jetë më vete, në zbatim të ligjit të pronës. Sot shqiptarët zotërojnë prona që nuk janë të sigurta. Sot shqiptarët janë në akthin dhe pasigurinë se prona e tyre keqpërdoret nga qeveria e cila ka ndërtuar me vetëdije, me plan një sistem kaotik për qëllime përfitimi të një grupi të vogël njerëzish ortakësh të kryeministrit dhe një grushti pushtetarësh. Ne angazhohemi se do të rregullojmë kuadrin ligjor në lidhje me ato raste të interesit publik që preken në mënyrë të qartë dhe shteruese, duke përcaktuar njëherë e mirë kriteret vlerësuese për kompensimin e pronës për investime të tilla publike ne besojmë se do ti jepet fund abuzimit me pronën në kurriz të një investimi publik dhe në këtë kuadër angazhohemi për rishikimin e ligjit përkatës i cili ka hapur të gjitha hapësirat për abuzivizëm në kurriz të pronarëve të ligjshëm dhe zbatimin e të gjitha parimeve kushtetuese dhe detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të Konventës Europian të të Drejtave të Njeriut për shenjtërinë e pronës private. Po kështu si pjesë e angazhimit tonë është edhe ndërtimi i një sistemi të rregullt për ti dhënë fund kaosit kadastra i cili pamundëson vërtetimin ligjor të pronës për qytetarët shqiptar të cilët e kanë të pa mundur ta përdorin këtë pronë si kolateral apo të fitojnë të ardhura prej pronës duke penguar vendin vit për vit që të përfitoj miliona nga tregu madje duke shkaktuar humbje të cilat përllogariten sipas institucioneve ndërkombëtare në qindra milionë euro dhe dhjetëra mijëra vende pune të humbura si rezultat i këtij kaosi me regjistrimin e pronave. Tregu i pasurive të paluajtshme është në zgrip të dështimit për shkak të procedurave të vështira, të komplikuara, jo transparente dhe të tejzgjatura të regjistrimit. Qytetarët janë pamundësuar të ekzekutojnë të drejtën e tyre themelore. Pronarët janë penguar të bëjnë transaksione me pronën e tyre, një liri themelore dhe antike sa vetë qytetërimi. Prona dhe liria ecin dorë më dorë me njëra tjetrën. Prona nuk mund të kuptohet pa lirin po as liria nuk mund të kuptohet pa pronën. Pasuritë e paluajtshme në këtë mënyrë janë kthyer në një makth në vend që të ktheheshin në një burim atraksioni për investimet e brendshme dhe të huaja. Ndaj ne angazhohemi në përfundimin e procesit të konsolidimit të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe krijimin e një harte unike kadastrave me mbulimin në gjithë territorin e vendit dhe finalizimin e regjistrimit të titujve të pronësisë. Ashtu si për çdo fushë tjetër edhe në këtë fushë qytetarët shqiptarë përballen me sorollatje nga një zyrë në tjetrën me arrogancën e pushtetin, me mungesën e koordinimit ndër institucional, me mohimin flagrant dhe harbut të së drejtës elementare të informimit dhe me korrupsionin në çdo nivel të administratës ku përballen për të zgjidhur çështjet e tyre të pronësisë. Me reformën tonë të derregullimit do t’i japim fund një situate paradoksale. Mbi një mijë zyrtarë të shtetit mbajnë në xhep vula dhe kanë të drejtën e firmës për gjithçka që ka të bëjë me jetën e shqiptarit, që nga momenti që del nga shtëpia deri në momentin kur hyn në shtëpi, madje edhe brenda shtëpive të tyre. Ne do ti japim fund sorollatjes të qytetarëve nëpër zyrat e shtetit, në kërkim të të drejtave të tyre legjitime të pronësisë të cilat shteti as nuk mund t’i tjetërsojë, as t’i fshehë, as t’i dhunojë, por ka detyrën ti garantojë. Në fokus do të jetë koordinimi i institucioneve shtetërore që merren me pronën si dhe thjeshtësimi në përputhje me praktikat më të avancuara Europiane i procedurave në lidhje me çështjet e pronës dhe reduktimi me qëllim zhdukjen e nivelit galoponte të korrupsionit që është një nga motivet kryesore pse kemi mbërritur në këtë pikë. Krijimi i një agjencie ombrellë që përfshin të gjitha agjencitë që kanë në fokus pronën private dhe publike dhe kontrolli antikorrupsion brenda kësaj agjencie, adresimi i çështjeve të abuzimit me pronën në SPAK duke e kthyer tek pronari i ligjshëm, janë prioritete të qeverisjes tonë të ardhshme. Dua ta mbyll duke ju garantuar të gjithë pronarët e shpronësuar, gjithë pronarët e ligjshëm, shoqatat e pronarëve se Partia Demokratike do të bashkëpunojë ngushtësisht me ju dhe me përfaqësuesit tuaj në zbatimin e këtij programi politik, në hartimin e masave dhe vendimeve që kanë lidhje me çështjet e pronësisë duke e mbajtur të informuar njëri-tjetrin me një dialog të vazhdueshëm për çdo iniciativë që do të ndërmarrim deri në zgjidhjen përfundimtare sipas angazhimeve të sipërpërmendura të cilat i keni edhe më të detajuara në programin e hartuar nga grupi ynë i ekspertëve në bashkëpunim me përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve.

Basha: Do të abrogojmë ligjin aktual të pronave

Antikushtetues dhe për arsye korruptive. Kështu e konsideron opozita ligjin e qeverisë për shpronësimet. Kryedemokrati Lulzim Basha prezantoi këtë të dielë programin e tij për pronat, ku fillimisht kërkoi një ndjesë në emër të PD-së për vonesat. Ai tha se pas 25 Prillit do të angazhohet për zgjidhjen e problemeve me pronat.

Ndaj, qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe i prerë, dhe në nisje të debatit politik për këtë çështje, unë e kam thënë publikisht dhe dua ta përsëris sot edhe një herë publikisht, ju lutem të nderuar pronarë të Shqipërisë pranojeni këtë dhe si një ndjesë, në emër të Partisë Demokratike për vonesat, për problemet me të cilat jeni hasur në rrugën tuaj në kalvarin tuaj 30-vjeçar edhe për shkak të përgjegjësive tona të papërfunduara. E them këtë me gjithë vetëdijen që jam drejtuar edhe përndjekurve politik, me vetëdijen se as të përndjekurit dhe as pronarët nuk kishin dhe nuk kanë ku ta kërkojnë drejtësinë e munguar këto 30 vite përveçse tek shtëpia e lirisë, kjo është Partia Demokratike. Edhe sikur disa prej gabimeve dhe shtrembërimeve dhe mosveprimeve mos të kishin ndodhur gjatë qeverisjes tonë, që në fakt kanë ndodhur gjatë disa viteve të qeverisjes tonë, prapë se prapë kjo do të ishte një ndjesë e merituar sepse ne ju kemi dalë zot dhe ne duhet t’ju dalim zot deri në fund pronarëve dhe të përndjekurve politik. Këtë ndjesë natyrisht e kemi shoqëruar me gatishmërinë tonë për të hedhur të gjitha hapat e nevojshëm politikë dhe pas 25 prillit ligjor dhe financiar për të korrigjuar dhe zgjidhur problemet e shkaktuar gjatë këtyre viteve dhe të akumuluara e të shumëfishuara gjatë qeverisjes së padrejtë dhe grabitqare të këtyre tetë viteve. Jam po kështu i vetëdijshëm se koha që ka rrjedhur jo vetëm që nuk i ka shëruar plagët por për vetë natyrën e plagës së pronës së tjetërsuar i ka bërë ato më komplekse, kurorat brenda familjeve janë shtuar, proceset e lëvizjeve demografike kanë shkaktuar ndryshime qoftë të hapësirave urbane po kështu dhe atyre rurale. Ndërkohë që babëzia e pa kufi për të grabitur pronën e pronarëve legjitim nuk ka kursyer as majat e maleve e as bregdetin shqiptar”.

Basha tha se programi i tij për pronat është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e pronarëve. Kreu i opozitës premtoi abrogimin e ligjit aktual, ndërsa tha se do të hartohet një kuadër tjetër ligjor i konsoliduar që jep zgjidhje çështjes së trajtimit të pronësisë.

“Ne do të abrogojmë ligjin aktual të pronave. Hartojmë kuadrin ligjor të konsoliduar që jep zgjidhje çështjes së trajtimit të pronësisë. Kuadri i ri ligjor do të reflektojë reflektimin e parimeve themelore të pronësisë. Kthimi i pronës, kompensimi fizik, obligacione në fondet e investimeve publike. Garantimi dhe respektimi i titujve të pronësisë referuar një vendimi i formës së prerë administrative apo gjyqësor. Garantojmë ekzekutimimin e veprimeve përfundimtare të kompensimit të pronës të pa ekzekutuara. Përfshirja në fondet e kompensimit fizike të pronave të konfiskuara për efekt të ligjit anti-mafia. Kërkesat e pa trajtuara do t’i nënshtrohen ligjit në kohën në fuqi në kohën e depozitimit të kërkesës në agjenci. Kërkesat e reja që nuk janë paraqitur më parë do të trajtohen në frymën e ligjit të ri. Drejtësia është në themelin e çdo veprimi të mirëqeverisjes. Me përfundimin e legalizimit, garantojmë pronarët kompensimin e plotë dhe të drejtë të pronës”, tha Basha./tvklan.al