Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i konsideron sulme bajate deklaratat e kryeministrit Rama kundër taksës 9% të prezantuar nga selia blu. Basha tha se Rama pranoi ditën e sotme që taksa progresive ka dështuar. Sipas Bashës, me taksën e sheshtë që kërkon të implementojë PD-ja fitojnë shqiptarët.

“Pas gjithë bajatësirave dhe sulmeve që i bën ai apo ata që nxjerr për të sulmuar fsheh diku ndonjë premtim. Kur dolëm ne me pagën minimale, sulm sharje, fyerje, gajasje, bajate dhe pastaj doli e mori dhe tha do ta bëj unë. Si do ta bëjë kur nuk e bëri deri tani? Ne e kemi gati planin. Kur do e kuptojë ai, në pension? Po e kuptoi në pension ndoshta do të bëjmë një skemë të subvencionojmë tarifat për pensionistët, megjithatë besoj se nuk ka nevojë për subvencionim Edi Rama.

Sot pas gjithë të sharave tha se taksa e tij progresive ka dështuar. Urdhëro? Ka dështuar? Sa vite kemi që e themi ne. Taksa progresive jo vetëm ka dështuar, por ka mbjellur korrupsion, ka varfëruar shqiptarët, ka shkatërruar ekonominë, ka larguar të rinjtë nga Shqipëria. Është një nga arsyet kryesore të dështimeve të njëpasnjëshme të Edi Ramës. Në lodhjen dhe dëshpërimin që e ka kapërcyer e fshehur në ato sulmet e bajatisura të sotme, që dua t’ia theksoj unë, meqë e tha vetë sot. Të paktën tani në ikje fillon e i pranon disa nga dështimet e veta. Sigurisht që taksa progresive ka dështuar. Ka pasuruar oligarkët e tij, ka varfëruar shqiptarët, ka shkatërruar klasën e mesme, ka shkatërruar vendet e punës ka shkatërruar klimën e biznesit. Kjo është një nga arsyet pse me taksën 9% fiton Shqipëria, fitojnë shqiptarët”, tha Basha.

Kryedemokrati pati edhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit.

“Me diversione të dala boje, me sulme të dalura boje ndaj meje, po i them sot, ta kuptoj mirë nervozizmin, por koha jote ka mbaruar, me 25 Prill Edi Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë”, tha Basha.

Pakt për të çuar LSI-në për “skrap”? Basha: Rama çfarë thotë sot nuk thotë nesër

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë se së bashku me Lulzim Bashën, kanë pasur një pakt për të “çuar LSI-në për skrap”. Kryetari i opozitës, duke komentuar këto deklarata të kreut të qeverisë tha se Rama është i lodhur dhe se gënjen.

Ai u shpreh se Rama do të largohet nga koalicioni që ai drejton bashkë me LSI-në dhe partitë e tjera. Të  gjitha këto parti sipas Bashës do të zbatojnë planin e punës për të sjellë ndryshim real në vend.

Kryeministri Rama ka deklaruar sot se në vitin 2017 në marrëveshjen që ju dhe kryeministri Rama keni bërë ka pasur një qëllim të vetëm, duke cituar, kryeministrin për ta çuar LSI-në për skrap. Ka qenë ky realisht qëllimi i kësaj marrëveshje?

Lulzim Basha: Është kaq i lodhur, çfarë thotë sot nuk thotë nesër. Sa herë do ta kapni ju duke gënjyer dhe duke përgënjeshtruar veten e tij shumë shpejt do të fillojë të njëjtën gjë në mëngjes, në darkë dhe do të fillojë ta përgënjeshtrojë të nesërmen dhe pastaj do ta përgënjeshtrojë veten e tij brenda ditës. Nuk mban më Rama. Ka mbaruar. Është e shkuara, prandaj s’po merrem me të më. Boll i vjedh më kohë shqiptarëve edhe kaq javë sa i kanë mbetur. Tashmë duhet të merremi me të ardhmen. Dhe në të ardhmen koalicioni që unë drejtoj bashkë me SI-në dhe partitë e tera, hapi i parë që do të hedhim është do të largojmë Edi Ramën më 25 Prill dhe pas kësaj do të nisim zbatimin e planit tonë të punës që do të sjellë ndryshim real, jo mrekulli. Nuk kam premtuar dhe nuk premtoj mrekulli, por marr angazhime të realizueshme. /tvklan.al