“Shqipëria, vendi me krizën më të thellë në rajon”

Përplasjen e Kryeministrit Rama me vendet e Bashkimit Europian, sa i përket shpërndarjes së vaksinës, Lulzim Basha e sheh si tentativë të Edi Ramës për të mbuluar dështimet e kreut të qeverisë.

“Nuk mundet më të fshihet dhe as të fshehë dështimin e tij duke fajësuar këdo, përfshirë së fundmi edhe Bashkimin Europian”.

Ndryshe nga kryeministri Rama thotë se vendeve mike u njeh jo pak merita për ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë, teksa zbulon komunikimin që ka patur me drejtues të lartë të BE-së, si Komisionerin për zgjerimin Varhelyi e zotin Mçallister.

“Sapo kam pasur një komunikim në Zoom me disa nga drejtuesit kryesor të Bashkimit Europian, përfshirë komisionerin për zgjerimin Olivér Várlehyi, kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, David McAlister, drejtues të tjerë të lartë të Bashkimit Europian, të Parlamentit Europian, ku kam folur edhe për ndihmën e jashtëzakonshme që Bashkimi Europian i ka ofruar Shqipërisë, por edhe për ndihmën ekonomike dhe ndihmën në sektorin e shëndetësisë që Bashkimi Europian do t’i ofrojë Shqipërisë në të ardhmen”.

Teksa Edi Rama mandatin e tretë e kërkon jo vetëm për premtimet e mbajtura, por edhe reformat e papërfunduara, Lulzim Basha e akuzoi për dështime në 8 vite qeverisje.

“Një gjë është e qartë si drita e diellit. Për shkak të dështimit të Edi Ramës, Shqipëria është sot në krizën më të thellë ekonomike krahasuar me çdo vend tjetër të rajonit”.

Aritmetikën e shifrave e ka të ndryshme nga ajo e kundërshtarit të tij politik, i cili foli për 225 mijë vende punë në dy mandate qeverisje.

“Numri i shqiptarëve që kanë humbur vendin e punës është më i larti në rajon dhe ndihma ekonomike që qeveria e Edi Ramës që i ka dhënë shqiptarëve, është më e ulëta në botë. Në 8 vite, Edi Rama i ka rritur taksat duke ju marrë shqiptarëve 3 miliardë euro më shumë. 97% e shqiptarëve, paguajnë sot më shumë taksa se 8 vite më parë. 40% pothuajse e të ardhurave të biznesit shkon kosto e taksave të rritura të Ramës”.

Sipas kreut të opozitës është koha për të larguar qeverinë dhe se për rimëkëmbjen e vendit, Partia Demokratike ka gati planin e saj ekonomik, që synon hapjen e vendeve të reja të punës dhe uljen e taksave.

Tv Klan