Brooklyn Beckham ka shkaktuar reagime të shumta pas deklaratave të tij për bashkëshorten Nicola Peltz, të cilën e cilësoi si mbështetjen më të madhe në përpjekjet për t’u afirmuar si sipërmarrës. Djali 27-vjeçar i David dhe Victoria Beckham u shpreh se pa të nuk do të kishte arritur të krijonte kompaninë e tij të salcave pikante, “Cloud23”. Megjithatë, shumë komentues i kujtuan se fama dhe mundësitë profesionale që ka pasur lidhen ngushtë me mbiemrin e familjes së tij.

Gjatë një interviste në Las Vegas, Brooklyn foli për mbështetjen e ndërsjellë me bashkëshorten, e cila ka treguar më parë për presionin që shoqëron jetën në qendër të vëmendjes publike.

“Ne jemi fansat më të mëdhenj të njëri-tjetrit. Pa të, nuk do të isha këtu ku jam sot me salcat e mia pikante. Recetën e krijuam së bashku një mbrëmje, pesë vite më parë, kur të dy kishim pirë. Kështu që mbështesim njëri-tjetrin. Kur ajo merr pjesë në një film, unë shkoj pranë saj, e mbështes dhe e ndihmoj në çdo mënyrë që mundem. Na pëlqen shumë e gjithë kjo dhe, po, ajo është më e mira”, u shpreh ai.

Por fjalët e tij për bashkëshorten nuk u pritën vetëm me komente pozitive. Në rrjetet sociale, shumë përdorues e kritikuan për faktin se nuk përmendi aspak rolin e prindërve të tij në famën dhe mundësitë që ka pasur ndër vite.

“Pa prindërit e tij nuk do të kishte arritur askund! Ky është një fakt”, shkroi një komentues.

“Fatkeqësisht, ai refuzon të pranojë se është pikërisht mbiemri i tij ai që i bëri salcat pikante të tërhiqnin vëmendjen”, komentoi një tjetër.

Ndërsa një përdorues tjetër shkoi edhe më tej, duke iu referuar njohjes së tij me Nicola Peltz: “Madje nuk do ta kishte njohur as atë, nëse nuk do të ishte një Beckham”.

Një tjetër komentues vuri në dukje privilegjet me të cilat është rritur Brooklyn: “Duket djalë i mirë, por fatkeqësisht ka një perceptim krejtësisht të gabuar për arsyet që e kanë çuar në pozicionin ku ndodhet sot. Sigurisht, kjo është e pritshme kur je rritur mes privilegjeve ekstreme dhe ke pasur gjithçka që dëshiroje që nga momenti kur ke lindur”.

“Imagjinoni të kesh mbiemrin Beckham dhe të besosh se ke arritur këtu falë saj”, shkroi një tjetër përdorues.

Këshillat e vjehrrit miliarder për kompaninë e tij

Ndërkohë, sipas raportimeve, në zhvillimin e kompanisë Cloud23, Brooklyn ka përfituar edhe nga këshillat e vjehrrit të tij, biznesmenit miliarder Nelson Peltz. Ky i fundit e ka nxitur të ndërtojë një kompani të fokusuar te produktet e njohura për publikun e gjerë, të cilat mund të prodhohen dhe të shpërndahen në sasi të mëdha, duke zgjeruar gradualisht gamën e tyre.

Cloud23 e nisi aktivitetin me dy salca pikante, “Sweet Jalapeño” dhe “Hot Habanero”, të pozicionuara në treg si produkte të cilësisë së lartë.

Sipas një burimi të cituar në media, Brooklyn synon që në të ardhmen të krijojë një grup të madh biznesesh, i cili të jetë në gjendje të konkurrojë, madje edhe të tejkalojë, kompanitë e ndërtuara nga prindërit e tij.

/tvklan.al