Veliaj: Paralajmërim edhe për linjat e tjera, po i vëzhgojmë

“Siç mund ta shihni nga këto pamje, shumica e udhëtarëve në linjen e unazës nuk përdorin maska duke shkelur rregullat antiCovid, një shqetësim ky i ngritur vazhdimit gjatë pandemisë nga Tv Klan. Kjo është vetëm një nga arsyet përse Bashkia e Tiranës vendosi t’i heqë licencën njërës prej dy kompanive të kësaj linje, duke shënuar kështu një prej ndëshkimeve më të forta për mosrespektimin e masave, që nga nisja e pandemisë”.

Kompania ka 7 ditë kohë nga marrja e vendimit për të dorëzuar dokumentacionin, ndërsa në vend të saj do të ketë një tjetër kompani duke mos lënë asnjë ditë pa shërbim qyetarët.

“Kam qenë shumë i angazhuar gjatë kësaj vere për të bërë disa ndërhyrje në transportin publik. Një prej tyre ka të bëjë me linjat e funksionimit të autobusëve në Tiranë. Kam vendosur që këtë javë t’i heq licencën kompanisë që menaxhon linjën e Unazës për një sjellje absolutisht të papërgjegjshme, për abuzim gjatë gjithë kohës së Covidit me justifikimet për të kryer shërbimin. Ky është edhe një paralajmërim për linjat e tjera. Po i vëzhgojmë me shumë imtësi”.

Veliaj e bëri të ditur këtë fakt teksa mblodhi në një takim administratorët e shkollave  në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e vitit të ri arsimor parauniversitar në kryeqytet.

“Në disa prej rrugëve ne kemi filluar të eksperimentojmë ato që i quajmë “rrugë shkollore”, ku, siç ndodh në të gjithë botën, bllokohet ajo rrugicë dhe përdoret në mënyrë këmbësore vetëm nga fëmijët derisa mbaron procesi mësimor. Në disa rrugica të tjera do të bëjmë një rishikim për kangjella, për t’u siguruar që trotuari ku fëmijët hidhen menjëherë nga dera kryesore ka një lloj barriere të mbrojtur derisa shkojnë te vija e bardhë, ose tek semafori”.

Për të lehtësuar trafikun që rëndohet në muajin Shtator me hapjen e shkollave, do të hyjë në fuqi dhe regjimi i furnizimit të pikave ushqimore dhe supermarketeve.

Tv Klan