Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Projektet e rehabilitimit të infrastrukturës së kryeqytetit, kanë mbaruar në Bashkinë e Tiranës. Kështu projekti më i ri është ai i rrugës “Myslym Shyri”, ku pas dhjetë ditësh tenderi i hapur do të zgjedh, se kush do të kryejë punimet këtu.

Rehabilitimi do të përfshijë të gjitha kanalizimet në rrjetin e ujësjellësit, ndriçimin e plotë të rrugës, trotuaret dhe asfaltimin e të gjithë segmentit, ku pronarët e dyqaneve, do të paguajnë një kontribut lekësh të caktuar. Për këtë Dashamir Peza, drejtor i punë publike në Bashkinë e Tiranës thotë:

Dashamir Peza:- “Ramë dakord edhe me KESH-in, për të futur kabllot e KESH-it nën tokë, që aktualisht janë ajrore në këtë zonë të Tiranës. 30 mijë lekë për metër katror, që do të paguhet nga banorët është minimale, në krahasim me investimin e përgjithshëm të kësaj rruge”.

Një tjetër projekt është edhe rruga “Punëtorët e Rilindjes”, që do të zgjerohet e gjitha. Punimet kanë filluar në shtrimin e tubacionit të ujësjellësit, nga shkolla e Baletit deri tek Ura e Tabakëve. Punimet e këtij projekti kryen me financimet e firmës Falcone dhe kushtojnë 30 milion lekë të reja./tvklan.al