Të gjithë pallatet që kanë vendosur sistem kapot do të verifikohen nga task forca e drejtorisë së objekteve të bashkëpronësisë në bashkinë e Tiranës. Kreu i kësaj drejtorie, Dritan Dango, thotë se kjo nismë u ndërmor nisur nga temperaturat e larta dhe rastet e zjarreve në pallate.
“Është një task forcë e cila do të bëjë verifikimin e materialeve dhe a e kanë certifikimin e materialeve e sistemit kapot. Nuk merret me çështjen e fasadave, por merret vetëm me ato pallate të cilat kanë aplikuar për sistemin kapot dhe materialet të cilat kanë përdorur janë të certifikuara kundra zjarrit apo jo. Duke parë që klima dhe temperaturat kanë ndryshuar në Shqipëri dhe eksperiencat që kemi pasur më përpara, është një iniciativë për të parandaluar çdo emergjencë natyrore kundër zjarrit”, tha Dritan Dango.
Për të gjitha shkeljet e evidentuara, firma kontraktuese rrezikon skualifikimin e përhershëm për të aplikuar në projektet e bashkisë për Fond Komuniteti.
Dango thotë se krahas taskforcës, Fondi i Komunitetit ka përfshirë edhe një sërë lehtësirash për pallatet e vjetra, një prej të cilave është heqja e depozitave prej tarracave, një prej çështjeve më problematike për banorët e këtyre ndërtesave.
“Aplikimet për fondin e komunitetit dhe kredia e butë janë ato që njerëzit interesohen më shumë në bashkinë e Tiranës. Nga gjithë database që ne kemi mbledhur janë edhe disa zyra të rinj, vendosja e ashensorit në pallatet e vjetra edhe sistemi kapot që ul eficencën e energjisë me 25, por kemi përfshirë edhe zhvendosjen e depozitave. Të gjithë ata që duan ta heqin nga kati i pestë dhe t’i vendosin në një depozitë të përbashkët në katin e parë, bashkia e Tiranës do të financojë me 50% për të gjithë banorët dhe 100% falas për të gjithë pensionistët dhe grupet e veçanta”, shtoi ai.
Kushti i vetëm që një pallat të përfitojë për zëra të veçantë si vetëm izolimi i tarracës, apo rikonstruksioni vetëm i shkallëve, vendosja e ashensorit apo edhe i gjithë sistemi i pallatit është pasja e një administratori i cili zgjidhet nga vetë banorët deri në momentin kur të miratohen aktet nënligjore për ligjin e bashkëpronësisë, i cili bën të detyrueshëm vendosjen e një administratori në çdo godinë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
