Futbolli brazilian është përfshirë sërish në një skandal bastesh, këtë herë duke i hedhur dritë sulmuesit të njohur të Flamengos, Bruno Henrique. Lojtari, fitues dy herë i Copa Libertadores, akuzohet se ka marrë qëllimisht një karton të verdhë gjatë një ndeshjeje, për të ndihmuar kompanitë që mund të kishin investuar në rezultatin e këtij veprimi.
Kjo ka çuar në një pezullim prej 12 ndeshjesh dhe një gjobë prej 11 mijë dollarësh të vendosur nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë Sportive e Brazilit, ndërkohë që është ngritur edhe akuza për mashtrim sportiv, një akuzë që mund të sjellë një dënim me burg prej dy deri në gjashtë muajsh.
Një detaj që i jep besueshmëri kësaj akuze është fakti se disa anëtarë të familjes së Bruno Henrique kunata, vëllai dhe kushëriri i tij, dyshohet se kanë hapur një llogari online në një faqe bastesh në prag të ndeshjes ndërmjet Flamengos dhe Santos. Ky zhvillim ka shtuar edhe më shumë dyshimet lidhur me ndikimin e basteve në sportin brazilian dhe sidomos në futbollin lokal.
Henrique ka deklaruar se është i pafajshëm dhe ka paralajmëruar se do të apelojë dënimin. Megjithatë, kjo çështje ka nxjerrë në pah një problem të madh që vazhdon të shqetësojë ligën braziliane: ndikimi i basteve në rezultatet e ndeshjeve.
Ky fenomen ka pasur raste të tjera të njohura, si hetimi i vitit 2023, i cili zbuloj një rrjet kriminal që manipuloi të paktën 13 ndeshje në Serie B dhe Serie A të Brazilit, me ndihmën e lojtarëve që ndërhynë në mënyrë të qëllimshme në zhvillimin e ndeshjeve, duke shkaktuar kartonë të verdhë dhe të kuq.
Për më tepër, qeveria braziliane ka shprehur disa herë angazhimin e saj për të forcuar mbikëqyrjen e agjencive të basteve online përmes Ministrisë së Financave, por duket se përballja me këtë fenomen dhe eliminimi i skandaleve të tilla mbetet ende një sfidë e madhe për autoritetet.
Pavarësisht se Bruno Henrique ka mundësinë të apelojë, ky skandal e ka dëmtuar imazhin e futbollit brazilian, një sport që tashmë ka pasur histori të gjatë me raste të trukimit të ndeshjeve dhe mashtrimit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
