Publikimi i përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild” ka qenë tema e emisionit të sotëm “Zonë e Lirë” në Tv Klan. Për të folur rreth kësaj teme ishin të ftuar në emision analisti Baton Haxhiu dhe politologu Arjan Curi. Gjatë emisionit, Baton Haxhiu tha se përgjimet nuk janë të reja dhe se po përdoren për qëllime politike. Ndërkohë, Curi tha se ishte i shokuar, dhe pas publikimit të përgjimeve mazhoranca do të pësojë rënie të lirë.

Baton Haxhiu: Përgjimi është në funksion të mobilizimit. Përgjimi nuk është i ri, është një paralajmërim se në një situatë si kjo do të përdorej përgjimi kundër Ramës për të arritur një qëllim politik. Është moment i keq për Shqipërinë. Nuk e di nëse është momenti i duhur politikisht. Edi Rama i humbi zgjedhjet lokale të 21 Janarit për shkak të dhunës. Po harron opinioni se ai për faktin që humbën jetën 4 njerëz humbi zgjedhjet. Ai nuk bindi opinionin se demostratat janë të domosdoshme për të rrëzuar qeverinë atëherë. Populli nuk do dhunë, humbjen e mirëqenies, apo rrëzimi i pushtetit me dhunë. Asgjë s’ka për të ndodhur pas këtyre përgjimeve. Do vazhdojë jeta normalisht.

Arjan Curi: Nuk jam në të njëjtin mendim me Batonin. Është tjetër gjë kur dëgjon që flitet dhe gjë tjetër kur e dëgjon me zë. Unë u shokova. Kam dëgjuar shumë njerëz që pas këtyre ngjarjeve do ketë një gjak të ri. E mendoj mazhorancën në rënie të lirë. Kjo ngjarje më kujtoi Gomorrën, realiteti e tejkalon filmin.

Baton Haxhiu: Mazhoranca do ishte mirë të pësonte rënie sepse është prej një kohe të gjatë në pushtet, edhe sepse gjatë rrugës ka pësuar disa skandale dhe ka ndërruar disa herë qeverinë. Por s’ka rënie sepse s’ka ide tjetër. Këto përgjime janë shumë të rënda për Vangjushin.

Arjan Curi: Po Vangjushi zgjedhje e kujt ishte? A nuk ka përgjegjësi Rama?

Baton Haxhiu: Natyrisht që po, ka përgjegjësi indirekte./tvklan.al