Bayern Munich do të dyfishojë përpjekjet për të nënshkruar me yllin e Liverpool, Luis Diaz, pasi Jamal Musiala pësoi një dëmtim serioz që do ta mbajë jashtë fushës për të paktën 4 muaj.

Lojtari 22-vjeçar theu kaviljen në humbjen 2-0 të Bayernit ndaj Paris Saint-Germain në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube.

Lojtari i përfaqësueses gjermane u përplas me portierin e parisienëve, Gianluigi Donnarumma, pak para përfundimit të pjesës së parë dhe la fushën me barrelë.

E përditshmja gjermane Bild raporton se drejtuesit bavarezë duan me patjetër të sjellin në “Allianz Arena” si sulmuesin kolumbian, ashtu edhe Nick Woltemade, i cili u dallua në Europianin U21 me Gjermaninë.

Midis palëve ka pasur kontakt dhe kolumbiani i ka thënë drejtuesve të Bayernit se ka dëshirë të bëhet pjesë e ekipit.

Por Liverpool e ka bërë të qartë më herët se futbollistin nuk e shet dhe e konsideron si pjesë të rëndësishme të projektit për të ardhmen.

Luis Diaz, në 50 ndeshje gjatë sezonit të kaluar, realizoi 17 gola dhe dha edhe 8 asistime.

Klan News

/tvklan.al