Bayern Munich e ka marrë vendimin për sulmuesin gjerman Nick Woltemade.

Rekordmenët bavarezë e duan lojtarin e Stuttgartit dhe në fillim të javës do të nisin bisedimet zyrtare me klubin për të finalizuar transferimin.

Sipas gazetës gjermane Bild, Woltemade ka rënë dakord me klubin bavarez për të firmosur një kontratë pesëvjeçare.

Ai pritet që të përfitojë nga 6 deri në 10 milionë euro bruto, përfshirë edhe bonuset.

Te Stuttgart shpresojnë që ta mbajnë futbollistin, por kjo do të jetë e vështirë. Nga drejtuesit e klubit ka pakënaqësi, pasi ata prisnin që kontakti i parë nga Bayern të ishte me ta dhe jo me futbollistin.

Stuttgart kërkon për kartonin e lojtarit 100 milionë euro, por bavarezët presin që akordi të bëhet me gjysmën e kësaj shifre.

Woltemade ndihet i pavlerësuar në skuadrën aktuale, pasi oferta që atij iu bë për rinovim shkon në 2.5 milionë euro, shumë pak krahasuar me atë që Bayern është gati t’i ofrojë.

Pas dështimit të blerjes së Wirtz, te Bayern janë të vendosur që të finalizojnë transferimin e talentit gjerman, me këtë të fundit që e sheh si një mundësi mjaft të mirë kalimin për të fituar trofe dhe për të luajtur në Ligën e Kampionëve.

Klan News

/tvklan.al